E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq "gjobëvënësi" i 20 mijë eurove, i shpëtoi arrestimit nga policia

DOSJA/ Luan Bliu kërcënoi shtetasin Arjan K. të cilit i kishin marrë peng vëllanë në Greqi për një borxh


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet mbylli dosjen hetimore dhe dërgoi për gjykim të pandehurin Luan Bliu për kryerjen e veprës penale të "gjobëvënës" prej 20 mijë eurove në bashkëpunim me disa persona të tjerë që ndodheshin në Greqi.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe togave të zeza, që pas hedhjes së shortit elektronik është caktuar pesëshja gjykuese e kryesuar nga Sandër Simoni për gjykimin e çështjes.


Sipas kërkesës për gjykim, mbyllja e hetimeve është bërë vetëm për të pandehurin e shpallur në kërkim Luan Bliu nga fshati Prosek i Mirditës, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij ende të paidentifikuar hetimet vazhdojnë.


Sipas procedimit penal me nr. 46 që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se gjithçka ka filluar 28 maj 2009, kur shtetasi Agim K. nga Greqia ka lajmëruar vëllanë e tij në Shqipëri Arjan K. duke i thënë se e kishin marrë peng dhe i kërkonin për të paguar 20 mijë euro.


"Ka qenë ora 22:30 minuta kur nga Greqia shtetasi Arjan K. ka marrë një telefonatë nga i vëllai Agim K. me një numër grek. Agimi i ka thënë se e kanë marrë peng dhe duhet të paguante 20 mijë euro që të shpëtonte.


Më pas, në ora 5:25 të mëngjesit po nga ky numër i vëllai i ka kërkuar që të paguante pasi gjërat ishin shumë keq. Rreth orës 12:00 të po kësaj dite kallëzuesi ka marrë një telefonatë nga një person i panjohur, i cili është prezantuar si djali i dajës së "pengmarrësit" të Agim K. në Greqi dhe kishte ardhur në Shqipëri për të marrë paratë e kërkuara", - thuhet në kërkesën për gjykim. Por, ndërkohë, Arjani ishte drejtuar në polici duke kallëzuar rastin.


Gjatë kësaj kohe, kallëzuesi ka lënë takim me personin që kishte ardhur për të marrë paratë që të lidhnin një kontratë noteriale për pagimin e shumës së parave të kërkuara.


Pas kallëzimit, policia me ndihmën e prokurorisë ka vazhduar përgjimet e telefonit, përgjimin ambiental të vendit të takimit, filmimin e lëvizjeve të personit që kërkonte paratë dhe automjetin që përdorte.


Nga hetimet paraprake u bë e mundur identifikimi i tij, i cili rezultoi të ishte shtetasi Luan Bliu nga fshati Prosek i Mirditës. Të dy personat, kallëzuesi dhe pretenduesi për marrjen e parave, janë takuar kur ky i fundit e ka kërcënuar me jetë Arjanin nëse nuk i merrte paratë për të cilat kishte ardhur.


Më pas, i pandehuri Bliu nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratën e noterisë dhe as të identifikohet, duke bërë që kallëzuesi. të kontaktojë me vëllanë, ku pasi i ka komunikuar mospranimin e personit për t'u identifikuar dhe nënshkruar kontratën, i vëllai i ka thënë se është liruar.


Pas këtij njoftimi, kallëzuesi nuk ka komunikuar dhe pranuar të takohet më me të pandehurin Luan Bliu, çka ka bërë që policia të mos e arrestojë. Ndërsa pas komunikimeve me të vëllanë në Greqi, ky i fundit e ka njoftuar se i duheshin 20 mijë eurot pasi i kishte borxh dhe nuk kishte të paguante.


Këto para i kërkoheshin kallëzuesit Arjan K. duke përdorur dhunën psikike, shtrëngimin dhe presionin se do t'i vrisnin vëllanë në Greqi apo edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›