BE dhe UNICEF vazhdojnë të mbështesin drejtësinë për të miturit

Zyra e BE-së në Kosovë dhe UNICEF-i kanë lansuar zyrtarisht fazën e tretë të programit të tyre të përbashkët për Drejtësinë për Reforma të Fëmijëve në Kosovë, me filmin dokumentar “Një mundësi tjetër’. Projekti i përgjithshëm, në vlerë prej 1,750,000 milion euro, do të mundësojë që fëmijët që janë në kontakt me drejtësinë penale, përfshirë viktimat dhe dëshmitarët, të trajtohen nga sistemi i drejtësisë në përputhshmëri me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.
”Ky program do të vazhdojë të përqendrohet në parandalimin e përfshirjes së fëmijëve në konflikt me ligjin dhe gjithashtu do të ofrojë mbështetje përkatëse për fëmijët që janë viktima ose dëshmitarë të krimit dhe për familjet e tyre.
Në fjalimin e tij hyrës, Hajredin Kuçi, Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, ka theksuar progresin e arritur në fushën e drejtësisë për fëmijë, përmes ndërtimit të kapaciteteve të të gjitha institucioneve dhe profesionistëve përkatës.
Laila Gad, Shefe e UNICEF-it në Kosovë theksoi nevojën për tu fokusuar në parandalimin e fëmijëve që të bien ndesh me ligjin: ”Përpjekjet për parandalim mund të zvogëlojnë rrezikun që fëmijët të bien ndesh me ligjin; bashkëpunimi ynë në gjashtë komuna deri tani ka rezultuar në menaxhimin e 1,350 fëmijëve të rrezikuar, apo të nënshtruar ndaj formave të ndryshme të dhunës.”
Christof Stock, Shefi i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë ka thënë: ”Në shoqëri si Kosova, ku fëmijët dhe të rinjtë përbëjnë mbi 60% të popullsisë, është shumë e rëndësishme që të investohet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre, qoftë nëse ata janë në kontakt me ligjin ose në konflikt me të.”
UNICEF-i dhe BE-ja kanë bashkëpunuar në mbështetjen e reformave në drejtësinë për të miturit që nga viti 2007, dhe do të vazhdojnë këtë mbështetje përmes fazës së tretë (2013 -2016), me qëllim të konsolidimit të rezultateve të arritura në reformat për të miturit në konflikt me ligjin, mirëpo do të përqendrohen gjithashtu edhe te fëmijët e tjerë që janë në kontakt me sistemin e drejtësisë penale, si viktimat dhe dëshmitarët.
Progresi i arritur deri më sot në reforma është prezantuar para audiencës në filmin dokumentar ''''Një mundësi tjetër'''', me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt dhe Yll Çitakut, i cili pasqyron sfidat dhe të arriturat në reformat e sistemit të drejtësisë për të miturit në Kosovë. Ky film përfshin narracionin nga të rinjtë, të cilët kanë qenë në kontakt me sistemin e drejtësisë, intervista me profesionistë të drejtësisë për të mitur dhe pjesë fiktive që ilustrojnë procedurat dhe trajtimin e fëmijëve përkatës nga sistemi i drejtësisë”, thuhet në njoftim. /Indeksonline/