E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE dhe "lufta" e fshehtë për krerët e saj

Kur liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së janë mbledhur bashkë dje në orën 6 pasdite për "darkën e punës" e kishin parashikuar se mund edhe ta kishin gdhirë, sepse axhenda për diskutim ishte e tejmbushur. Në diskutim do të ishin një numër çështjesh që kanë mbetur pezull, ndër të cilat edhe ajo e mënyrës së prezantimit të BE-së në Konferencën për Ndryshime Klimatike në Kopenhagen. Gjithsesi për të pranishmit ka pasur një çështje që ka qenë në krye të axhendës: ajo e dy posteve të reja, që janë krijuar nga aplikimi i Traktatit të Lisbonës. Janë dy poste që në vetvete përmbajnë shumë fuqi dhe pushtet dhe sigurisht edhe reklamim. Si pasojë, të gjitha vendet anëtare synojnë që të ulin njeriun e tyre në karriget bosh. Vendi i parë bosh është ai për presidentin e Këshillit Europian, detyra e të cilit do të përfshijë përgatitjen e takimeve të rregullta të liderëve të BE-së, moderimin e takimeve dhe më pas paraqitjen e deklaratave përfundimtare para shtypit. Më pas personi në fjalë do të marrë pjesë në të gjitha takimet ndërkombëtare jashtë kontinentit, duke përfaqësuar vullnetin e Europës. Vendi i dytë i punës është ai i ministrit të ardhshëm të ri të Bashkimit Europian, zyrtarisht i cilësuar si "përfaqësuesi i lartë". Ky është një pozicion me më pak influencë se i pari, por që do të ketë të bëjë më shumë me udhëtime. Edhe për këtë post ka pasur dhe ka shumë mëtues, ndër të cilët ministri i Jashtëm aktual i Britanisë së Madhe, David Miliband. Por të gjithë heshtin zyrtarisht dhe asnjëri nuk e ka konfirmuar objektivin. Por ka edhe nga ata që jo vetëm dolën hapur, por edhe aplikuan për të dyja vendet si Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves. Në fakt, sipas shumë analistëve situata parazgjedhore në BE është karakterizuar nga kaosi dhe paqartësitë. Shumë fajësojnë për këtë Kryeministrin suedez, Fredrik Reinfeldt, vendi i të cilit mban Presidencën e BE-së këtë 6-mujor. Ai dështoi në unifikimin e 27 vendeve të BE-së. Vetë Kryeministri u mbrojt, duke thënë se në rrugën e tij u vendosën shumë pengesa dhe se si të majtët, ashtu edhe të djathtët donin të prezantoheshin njësoj dhe jo vetëm ata, por të gjitha vendet e vogla dhe të mëdha kishin pretendime të njëjta dhe madje së fundi edhe gratë. Dhe gjithë ky fluks, kur bëhet fjalë vetëm për dy vende vakante. Në fakt, dy postet e sipërpërmendura janë më të rëndësishmit dhe më të dukshmit, por në paketë përfshihen edhe dy poste të tjera jo më pak të rëndësishme dhe më teknike, si ai i sekretarit të Përgjithshëm dhe i guvernatorit të Bankës Qendrore Europiane. Ka të tjerë që fajësojnë polakët për këtë situatë të paqartë. Befas ata kërkuan që procesi i seleksionimit për vendet në fjalë të shndërrohej në një proces transparent dhe demokratik. Në funksion të kësaj ata duan që kandidatët të flasin para krerëve të shteteve të vendeve të BE-së në lidhje me vizionin e tyre dhe mënyrën se si planifikojnë që ta vazhdojnë punën, nëse do të zgjidhen. Por shumë pak kandidatë kanë dëshirë që të bëjnë "intervista pune", sepse i druhen faktit se mos ndoshta një humbje e mundshme mund t‘i shkaktonte pasoja negative në shtëpi. Çfarë mund t‘i thoshte një Kryeministër zgjedhësve të tij, nëse do të refuzohej nga Brukseli? Të paktën për Kryeministrin suedez një kërkesë e tillë për transparencë e polakëve nuk ishte realiste. Mbrëmë në darkë, 26 burra dhe gra janë ulur rreth një tryeze, me një gotë kafe dhe listat e emrave të kandidatëve që aspirojnë për postet e larta. Duke qenë se të dyja postet janë të lidhura politikisht me njëri-tjetrin, mund të supozohet që njërin ta marrë e djathta dhe tjetrin ta marrë e majta. Megjithatë vështirësia kryesore konsiderohet posti i presidentit. Deri dje në darkë, kandidatët kryesorë për postin e ministrit të Jashtëm ishin Massimo D‘Alema, ish-kryeministri italian dhe aktualisht ministër i Jashtëm i Britanisë, David Miliband. Por situata mund të konsiderohet e vështirë, për shkak se shumë vende të vogla pretendojnë që të kenë zërin dhe të drejtën e tyre në një organizatë që presupozohet të jetë e barabartë. Ndërkaq këtij kaosi i janë bashkëngjitur me kërkesat e tyre edhe shumë politikane femra. Ato janë bërë bashkë në Parlamentin Europian në Bruksel dhe në Komisionin Europian dhe kanë kërkuar që njëri nga postet e rëndësishme, si dhe të paktën një e treta e posteve në Komision, të zihen nga gratë. Rebecca Harms, bashkëthemeluese e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, paralajmëroi se Bashkimi Europian rrezikonte që të bëhej njësoj si Arabia Saudite për sa i përket përfshirjes së pakët të grave në vendimmarrje dhe postet drejtuese. Nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë anëtaret gra të Parlamentit Europian nga i gjithë spektri politik kanë kërcënuar se do ta refuzojnë gjithë komisionin e ri kur të vijë momenti i votës parlamentare. Kandidatja më e rëndësishme për postin më kryesor është ish-presidentja e Letonisë, Vaira Vike-Freiberga, një nga kandidatet e pakta që ka deklaruar hapur kandidimin e saj. Deri dje në mbrëmje ka pasur 20 kandidatë për postet, çka duhet t‘ua ketë bërë shumë të vështirë detyrën liderëve të BE-së në detyrën e tyre të parë për zgjedhjen e njerëzve të fuqishëm të organizatës në të cilën bëjnë pjesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›