E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi kërcënon kryekomunarët serbë

Ndasitë dhe përçarjet mes serbëve të Kosovës janë bërë përsëri aktuale edhe mbas zgjedhjeve lokale të së dielës (15 nëntor), saqë shprehet frika e përplasjeve dhe e konfrontimeve eventuale mes tyre. Oliver Ivanoviç, sekretar Shteti në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën dhe Metohinë të qeverisë serbe, në një deklaratë që i dha gazetës së përditshme serbe "Blic", vuri në dukje se situata brenda bashkësisë serbe në Kosovë, tani mbas zgjedhjeve lokale, mund të precipitojë deri në konflikte të ndërsjella, sepse në tri komuna (Graçanicë, Ranilugë dhe Kllokot), me popullsi kryesisht serbe, të Kosovës do të funksionojnë institucione paralele serbe. Ivanoviçi paralajmëroi se qeveria e Serbisë do të ndërpresë çdo lloj komunikimi me ata serbë, të cilët, në zgjedhjet lokale në Kosovë, fituan dhe u zgjodhën në organet e reja lokale të pushtetit të tri komunave të lartpërmendura. Kandidatët e listës serbe fituan në zgjedhjet lokale të së dielës në tri komuna, Graçanicë, Ranilugë dhe Kllokot, por, sikurse paralajmërohet, organet e tyre lokale të pushtetit nuk do të njihen nga qeveria e Serbisë. Në këto tri komuna, qysh nga "zgjedhjet lokale" që zhvilloi Serbia, më 11 maj të vitit të kaluar, ekzistojnë tashmë organet lokale të pushtetit, kështu që në këto komuna pritet të funksionojnë dy administrata lokale serbe dhe serbët që jetojnë atje duhet të përcaktojnë se cilën prej tyre do të mbështesin, gjë që, ka shumë të ngjarë, të shkaktojë përplasje dhe ballafaqime mes tyre. "Në secilën prej këtyre tri komunave do të ketë dy administrata lokale të pushtetit. Njërën prej tyre do ta mbështesin autoritetet e Beogradit, kurse tjetrën ato të Prishtinës. Secila prej tyre do të konsiderojë se ka të drejtë të drejtojë dhe të pyetet për çështje të ndryshme. Duke pasur parasysh temperamentin serb dhe përvojat e së kaluarës, kam mendimin se, për këtë shkak, puna mund të shkojë deri në konfrontime mes serbëve që jetojnë atje", theksoi Oliver Ivanoviç. Në deklaratën e tij, ky i fundit gjithashtu vuri në dukje se liderët e listës serbe, që si kryetarë të administratave lokale të reja do të mbështesin institucionet kosovare, kanë bërë të qartë se do të ndjekin një politikë të tyre, pavarësisht nga mesazhet dhe porositë e Beogradit, ndërsa kujtoi se 90 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë, financohen nga buxheti i Serbisë dhe se ata që do të bëhen pjesë e organeve kosovare të pushtetit, do ta humbasin këtë të drejtë. Kryetari i ri i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, i dalë nga zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj politikës zyrtare të Beogradit sa i përket Kosovës, i tha gazetës serbe të lartpërmendur se "të dërguarit e Beogradit, qofshin sekretarët përkatës të Shtetit, qofshin qindra funksionarë dhe mijëra të tjerë që punojnë në këto komuna tashmë të vdekura, janë pasuruar në kurriz të njerëzve të thjeshtë". Sipas Stojanoviçit, "fitorja e tij është rezultat i revoltës dhe i ndërgjegjësimit të atyre serbëve që gjatë dhjetë viteve të fundit kanë duruar pasojat e ‘mbrojtjes institucionale turistike‘ të Serbisë".

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›