Thaçi: Në komunat serbe, votimet në pranverë
Zgjedhjet lokale në komunat veriore, ku serbët bojkotuan procesin të dielën, do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, konfirmoi Kryeministri Hashim Thaçi. Në seancën e djeshme parlamentare, Thaçi sërish falënderoi serbët nga komunat e tjera për dalje në votimet e 15 nëntorit. Partitë opozitare, ndërkohë, kritikuan Kryeministrin për pjesëmarrje në fushatën elektorale. Duke qenë seanca e parë plenare pas zgjedhjeve, kjo temë e ka dominuar pjesën fillestare të saj. Deputetët gjatë pyetjeve të tyre kanë kritikuar Kryeministrin Thaçi për fushatën zgjedhore, ndërsa ai tha se kjo nuk ka qenë kundër Kushtetutës. Kryeministri u shpreh se në Kosovë është instaluar standardi më i lartë demokratik i organizimit të zgjedhjeve. Deputetja e AAK-së, Gjylanze Syla, kritikoi qeverinë, duke thënë se ajo ende nuk po arrin ta shtrijë autoritetin në veri të Kosovës dhe të shuajë strukturat paralele. Ndërkaq, Kryeministri Thaçi, duke iu përgjigjur asaj, tha se serbët e Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhje. "Serbët qytetarë të Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe tash po formohen edhe komunat e reja. Gjithashtu në pajtueshmëri me gjithë faktorin politik dhe shtetëror të Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar do të kemi zgjedhje në dy komunat edhe në pranverë, ku gjithashtu do të kemi adresa legjitime të autoriteteve lokale. Në Kosovë nuk ka struktura paralele, ka individë që thirren si jolegjitimë dhe kjo nuk do të vazhdojë", tha Kryeministri Thaçi. Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa( KZAP) njoftoi se deri më tani ka pranuar 167 ankesa. Lidhur me 85 ankesa, paneli i KZAP-it ka vendosur që 55 vendime i përkasin fushatës parazgjedhore, ndërsa 20 vendime të këtyre 85 ankesave i përkasin ditës së zgjedhjeve të datës 15 nëntor 2009. Të pazgjidhura kanë mbetur ankesat që janë në procedim e sipër dhe pasi të plotësohen kushtet ligjore do të merren vendimet përkatëse. Më pas, Kuvendi aprovoi në parim projektligjin për huan publike, të cilin e prezantoi ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.