Kushtuar dorës ledhatare
Një dorë mbi fëmijën, lypset të ndihet si një tërmet mbi shoqërinë. Pasi dora mëkon, dhe nuk lëndon... Ky është misioni njerëzor i saj. E në këtë kuadër është ngritur edhe një film i ri dokumentar, i cili vjen si një apel kundër dhunës ndaj fëmijëve. "Dora mëkon dhe nuk lëndon", kështu është titulluar filmi i ri dokumentar, skenari i së cilit është shkruar prej Zana Zyrakjas dhe me regji të Ylli Pepos, që do të shfaqet premierë sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve. Pas bashkëpunimeve të mëparshme në filmat dokumentarë, "Gjaku që fali gjakun" apo "Ndihmomë të kem të ardhmen", edhe ky film i ri dokumentar vjen në vazhdën e temave sociale në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. "Ne kemi zgjedhur t‘i përgjigjemi kësaj forme të dhunës, thirrjes së fëmijëve përmes këtij angazhimi profesional", thotë skenaristja Zana Zyrakja, e cila e sheh këtë film si një angazhim qytetar, prindëror, por edhe profesional. Dy kolegë që japin kontributin e tyre për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare, për t‘i thënë ndal dhunës ndaj fëmijëve. Së bashku ata kanë zgjedhur që personazhe të këtij dokumentari të jenë pikërisht fëmijët, nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës, si dhe përfaqësues të senateve, të cilët rrëfejnë për arritjet në këtë drejtim. Por nuk mungojnë edhe raste të dhunës të mësuesve ndaj fëmijëve, ashtu sikundër edhe dhuna e fëmijëve me njëri-tjetrin. Gjithashtu, pjesë e këtij filmi dokumentar janë edhe fëmijët e shtëpisë së fëmijës, "Zyber Hallulli" në Tiranë. "Në shtëpinë e fëmijës jam prekur vërtet shumë. Ditët fundit kemi parë edhe një ekspozitë me punime të këtyre fëmijëve, që u referoheshin dorës. Dora ledhatare e nënës së munguar është zëvendësuar nga mësuesja. Unë mund të them se ekspozita e tyre është një apel se si e duan ata dorën, si e pohojnë dorën ledhatuese të mësueses që ka zëvendësuar nënën. Të tilla ekspozita janë bërë edhe në rrethe të ndryshme të vendit duke rrëfyer mbi pretendimet që kanë ata kanë për dorën. Në këtë kënd ne kemi marrë edhe njerëz në rrugë. Në ambiente të ndryshme ne kemi pritur me kamerat tona dhe kemi fiksuar raste të tkurrjes së fëmijëve për shkak të një të bërtiture qoftë edhe për një akullore", vijon më tej skenaristja, e cila shpesh, për realizimin e të tillë skenarëve, thotë se frymëzohet prej historive të pakonsumuara tërësisht në mikrofonin e Radio Tiranës, ku prej vitesh punon si gazetare. Zana shton se "shpesh shikojmë nëpër kronikat e zeza të lajmeve e dëgjojmë për dhunë mbi fëmijët, apo dhe dhunë mes tyre, që kanë përfunduar edhe me plagosje të rënda apo më keq akoma me humbje jete. Me gjithë hapat e shpejtë me të cilët po ecën shoqëria jonë drejt progresit, përsëri mund të themi se plaga e dhunës në familje, përfshi këtu edhe fëmijët, është një problem social me përmasa shqetësuese. Si anëtarë të kësaj shoqërie, ne jemi të ndërgjegjshëm se fatkeqësisht dhuna ekziston edhe larg kamerave, apo përballë tyre, apo mbyllur në hapësirat familjare kur ato herë-herë shndërrohen në hapësira të dhunës. Heshtja tragjike e fëmijës së rrugës, detyruar të lypë nga dhuna e prindërve zemërgur, apo edhe në ambiente shkollore, ku mësuesi i pamerituar për këtë emision rreh ose fyen një nxënës, një shok që godet një shoqe a ndoshta më keq se kaq, janë të gjitha shtysa për të realizuar këtë dokumentar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Fëmijëve. "Këto fenomene që ne i shohim përditë, na kanë bërë që ta kapim këtë temë, e cila vërtet nuk rroket për herë të parë, por ne kemi vendosur të luajmë me një element që është dora. I gjithë filmi përshkruhet vetëm nga misioni që ajo ka. Në sekuencat e këtij filmi do të shikoni dorën që godet dhe atë tkurrjen e dhimbshme të fëmijës, si dhe dorën që përkëdhel dhe këtë dorë e kemi marrë në shtëpinë e fëmijë, te nënat shtatzëna në komunitete të varfra në rrethe të ndryshme të vendit, në Elbasan, në Berat, në Korçë etj.", tregon skenaristja për të cilën "Dora mëkon dhe nuk lëndon" është një film apel, por jo me slogane, jo duke bërë moral, por si një poezi e ndjerë e asaj çka kërkon fëmija nga dora, me nëntekst e mesazhe të gjalla të dëshirës së një fëmije.
Pas shfaqjes së tij në Tiranë, filmi do të shtegtojë edhe në qytete të ndryshme të vendit, por edhe nëpër shkolla e ambiente të ndryshme, me synimin që të ndikojë sadopak te kushdo që do e ndjekë, për të kuptuar dhe ndjerë se dora duhet të mbetet gjithnjë e fisme, të jetë përkëdhelëse, e ngrohtë dhe jo e dhunshme.
Pas shfaqjes së tij në Tiranë, filmi do të shtegtojë edhe në qytete të ndryshme të vendit, por edhe nëpër shkolla e ambiente të ndryshme, me synimin që të ndikojë sadopak te kushdo që do e ndjekë, për të kuptuar dhe ndjerë se dora duhet të mbetet gjithnjë e fisme, të jetë përkëdhelëse, e ngrohtë dhe jo e dhunshme.