E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova përplas Shkupin dhe Beogradin

Njohja e Kosovës nga ana e Maqedonisë ka shkaktuar një përplasje të madhe mes Shkupit dhe Beogradit. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, në favor të Greqisë për çështjen e emrit, sërish i ka acaruar marrëdhëniet mes Shkupit dhe Beogradit. Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, është thellësisht i zhgënjyer nga deklarata e ministrit serb, se Beogradi e mbështet qëndrimin grek për kontestin me emrin e Maqedonisë, njoftuan nga kabineti i Presidentit. Ivanov ishte dje në Beograd, ku mori pjesë në varrimin e patriarkut serb Pavle, me ftesë personale nga Presidenti serb, Boris Tadiç. Nga kabineti i Ivanovit informohet se vizitën presidenti e ka realizuar me dëshirë për të dhënë kontributin e tij në marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Nga aty, deklaratën e shefit të diplomacisë serbe, Jeremiç, e vlerësojnë si "fatkeqe". Presidenti Ivanov njëherësh shpreh keqardhje që deklarata e Jeremiçit është përputhur me ftesën e Presidentit Tadiç për vizitë në Serbi dhe për pjesëmarrje në varrimin e patriarkut Pavle. Presidenti Gjorgje Ivanov ka anuluar edhe praninë në drekën përkujtimore me rastin e vdekjes së patrikut serb Pavle, të organizuar nga shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç, në shenjë revolte, për shkak të deklaratës se Serbia do të qëndrojë në pozicionin grek në kontestin për emrin. Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi, ka theksuar se e vetmja rrugëdalje dhe e vetmja politikë serioze preventive në Maqedoni është vendosja urgjente e protektoratit ndërkombëtar, me ç‘rast brenda një viti të organizohen zgjedhje të parakohshme nën patronazhin e bashkësisë ndërkombëtare dhe më pastaj të ketë lëvizje të përbashkëta drejt së ardhmes. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) i është kundërpërgjigjur situatës aktuale që po mbretëron në Maqedoni, ndërsa ka shprehur sinjale të qarta lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi. Zhvillimet aktuale që kanë bllokuar proceset e integrimeve euroatlantike nga ana e qeverisë, Thaçi i ka adresuar te qeverisja aktuale. "Situata është katastrofale në Maqedoni. Nuk mund të them se është tragjike, por vlerësoj se është shumë dramatike. Kultura politike që e drejton Maqedoninë me fjalorin më të butë që mund t‘i them, është se ajo është tejet joserioze. Edhe të tjerët që provojnë të bëjnë matematika politike me numra gjithashtu janë joseriozë", ka theksuar Thaçi. Ai, me këtë rast, ka propozuar se si rrugëdalje e vetme mbetet protektorati ndërkombëtar. "Mendoj se e vetmja rrugëdalje dhe e vetmja politikë serioze preventive është që urgjentisht të vendoset protektorati ndërkombëtar në Maqedoni dhe pastaj brenda një viti të organizohen zgjedhje të parakohshme nën patronazhin e bashkësisë ndërkombëtare dhe më pastaj të lëvizim përpara të gjithë së bashku", ka theksuar lideri i PDSH-së. Lidhur me zërat se çfarë parashikimesh do të ndodhin pas 7 dhjetorit, Thaçi ka nënvizuar se PDSH-ja nuk është edhe aq kureshtare lidhur me këtë datë. "PDSH-ja do të vazhdojë të sensibilizojë se këtu zgjidhje është vetëm protektorati, përndryshe situata është dramatike", ka theksuar kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas një takimi ku ka prezantuar tre këshilltarët e tij, që janë pjesë e ekipit këshilldhënës.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›