BE fonde Kosovës si “Republic of Serbia”

Kosovën nuk po e ndihmon asgjë në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me Bashkimin Evropian, as marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel, as deklarimet e shpeshta të zyrtarëve evropianë e vendorë se “Kosova ka perspektivë evropiane”.
Në fakt, zyrtarët serbë rregullisht deklarojnë se rruga e vetme për Kosovën drejt BE-së kalon përmes Serbisë, dhe duket sikur ata kanë të drejtë të paktën sa u përket fondeve evropiane.
Në dokumentet zyrtare, të cilat janë publikuar nga “Zëri”, përfshirë edhe ato që janë publike dhe gjenden në faqet e internetit të Komisionit Evropian, pranë fjalës “Pristina” shkruhen inicialet “RS” (Republic of Serbia) dhe më pas titulli i projektit për të cilin Brukseli ofron përkrahje financiare.
Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë dhe Bruksel nuk kanë qenë në gjendje që gjatë së hënës të qartësojnë çfarë nënkuptojnë këto iniciale. Sidoqoftë, ato është shumë e lehtë të dëshifrohen duke marrë parasysh inicialet që shkruhen në dokumentet për projekte që i financohen Serbisë, pasi inicialet “RS” përdoren krahas Beogradit dhe të njëjtat edhe krahas Prishtinës.