Shkup, Prokuroria analizon intervistën e Thaçit dhënë për “Ora News”
Prokuroria në Shkup ka paralajmëruar se do të analizojë intervistën e fundit të kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi dhënë për televizionin “Ora News”.
Sipas mediave në Maqedoni, do të analizohet nëse Thaçi ka nxitur urrejtjen ndëretnike dhe ndërfetare, vepër për të cilën parashikohen dënime prej një deri në 5 vite burg.
“Jemi duke verifikuar dhe përkthyer intervistën e kryetarit të PDSH-së. Deri në fund të javës tjetër do të vendosim nëse do të ngrejmë padi ndaj tij ose jo”, citojnë zyrtarë të prokurorisë mediat.
Në një intervistë për RTV “Ora News”, Menduh Thaçi deklaroi se Maqedonia është një shtet artificial ndërsa maqedonasit janë bërë më fashistë se para 20 viteve.
Duke komentuar incidentet e fundit, vrasjen e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar, rrahjen e nxënësve shqiptarë, dëmtimin e dyqaneve të shqiptarëve në Shkup, Thaçi tha se incidentet nuk janë sporadike dhe se prapa tyre qëndrojnë institucionet e shtetit.