BE, hiqen vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian miratuan propozimin e Komisionit për heqjen e vizave Shengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Vendimi hyn në fuqi më datë 19 dhjetor. Për qytetaret serbë, malazezë e maqedonas që kanë pasaporta biometrike, nuk do të jetë e nevojshme viza për qendrim afatshkurtër 3 mujor, në vendet e bllokut 27-anëtarësh. Po kështu, në tekstin e vendimit thuhet se këta qytetarë përjashtohen edhe nga mundësia për punësim në vendet e BE-së. Ministrat shprehën gjithashtu mbështetjen e plotë lidhur me heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, e paralajmëruar të ndodhë në mesin e vitit 2010. Ministri suedez për migracionin dhe azilin, Tobias Billtrom theksoi se gjithashtu u ra dakord për një marrëveshje të përbashkët në të cilën nxiten qeveritë e Shqipërisë dhe Bosnjes, që të vazhdojnë më tej me reformat. Në pritjen që presidenca suedeze ka organizuar me ministrat e 3 vendeve të Ballkanit, janë ftuar gjithashtu edhe ministri i brendshëm shqiptar, Lulzim Basha si dhe homologu i tij boshnjak.