E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja e bashkuar për të mbajtur Greqinë në eurozonë

Herman Van Rompuy

Liderët e BE-së kërkojnë që Greqia të qëndrojë në eurozonë por ajo duhet të respektojë angazhimet. Deklarata është bërë nga presidenti i i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy duke folur pas samitit në Bruksel.

Greqia do të mbajë zgjedhjet e reja me 17 qershor dhe ka një rrezik në rritje për daljen e saj nga eurozona. Vendi ndodhet në recension prej pesë vitesh, ka një mal me borxhe, papunësi në nivel të lartë dhe trazira të vazhdueshme.

Samiti i mbajtur sot ishte jozyrtar ndërsa vendime të rëndësishme pritet të merren në samitin e 28 dhe 29 qershorit.

Kryeministri i përkohshëm grek, Panagiotis Pikrammenos, u shpreh se të gjithë vendet e BE-së kanë shprehur mbështetje për vendin e tij gjatë samitit.

Zgjedhjet e 17 qershorit në Greqi vijnë pas atyre të 6 majit, rezultati i të cilave nuk çoi në formimin e një qeverie. Në zgjedhjet e reja, sondazhet tregojnë se fitues mund të dalë koalicioni i majtë Syriza, e cila kundërshton marrëveshjen e borxhit mes Greqisë me BE-në dhe FMN-në. /BBC/

Përgatiti: F.S

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›