Konferenca e Kryetarëve/Kuvendi nis sot procedurat për zgjedhjen e presidentit
Kuvendi nis sot procedurat për përzgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, në limitin e afateve që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka thirrur sot në orën 10.00 konferencën e kryetarëve të grupeve kuvendore ku do të bëhet miratimin e etapave dhe shpalljen e ditës së votimit për Kreun e ri të Shtetit.
Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është komisioni i votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit.
Ndërkohë, komisioni i Ligjeve shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve. Për herë të parë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë provojnë ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës, kur në dy votimet e fundit kanë mundësi që të zgjedhin një kryetar shteti edhe me shumicë të thjeshtë votash, nëse në tre votimet e para dështon zgjedhja e tij me të paktën 84 vota. Votimi i pestë dhe i fundit zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar të paktën 71 votat e kërkuara që njihen dhe si shumica e thjeshtë e 140 deputetëve.