E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja modernizon pikat kufitare të Kosovës

Bashkimi Evropian ka përfunduar ndërtimin e një ndërtese të re të Policisë Kufitare dhe të Doganave në vendkalimin kufitar me Maqedoninë, në Glloboçicë, në vlerë prej gjysmë milion euro.
Ndërtimi i saj ishte pjesë e projektit 1 milion eurosh, i cili po ashtu përfshin ndërtimin e ndërtesës së Policisë Kufitare dhe të Doganave hekurudhore në Han të Elezit si dhe të një ure në vendkalimin kufitar në Bllace. Aktivitetet e doganave në Glloboçicë më parë janë kryer në kontejnerë.
Ndërtesa moderne e ndërtuar në bazë të standardeve evropiane do të bëjë të mundur që aktivitetet e Doganave dhe Policisë Kufitare të kryhen në mënyrë të sigurt dhe efektive. Ky projekt është vazhdimësi e përkrahjes së BE-së për Policinë e Kosovës dhe Doganat.
Vitin e kaluar u realizua edhe një projekt tjetër i ndërtimit të dy ndërtesave të stacioneve të policisë kufitare dhe të doganave në pikat kufitare me Shqipërinë, në Qafë të Morinës dhe Qafë të Prushit në komunën e Gjakovës, si dhe rindërtimi i ndërtesës së vendkalimit kufitar në Vërmicë. Po ashtu, edhe vlera e këtij projekti ishte rreth 1 milion euro.
Përmirësimi i infrastrukturës në vendkalimet kufitare është njëra prej tre komponenteve të përgatitur në bazë të një projekti të BE-së për të përkrahur bartjen e përgjegjësive nga policia ndërkombëtare tek ajo vendëse, për të zhvilluar manaxhimin e kufijve në përputhje me standardet e Shengenit dhe për të rishikuar legjislacionin që zbatohet tani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›