E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja, pranë një marrëveshjeje të re për qëndrimin e emigrantëve ilegalë

Qëndrimi ilegal i emigrantëve në BE, 6 muaj deri në 1 vit. Marrëveshja do t’i paraqitet Parlamentit për miratim në qershor

Negociatorët e Parlamentit Europian, të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të Komisionit, kanë arritur një marrëveshje për një projektligj mbi qëndrimin ilegal të emigrantëve në Europë. Lajmi u bë i ditur nga ministri slloven i Punëve të Brendshme, Dragutin Mate, gjatë një konference për shtyp. “Negociatorët ia arritën qëllimit”,- tha Mate, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së deri në fund të qershorit. “Kemi arritur një kompromis dhe na mbetet të fitojmë shumicën në dy institucionet kryesore, që janë Parlamenti Europian dhe Këshilli, duke përfaqësuar kështu 27 vendet anëtare”, - u shpreh ministri slloven, Mate. Edhe pse nuk u dhanë detaje lidhur me këtë marrëveshje, sipas një zyrtari pranë negociatorëve, marrëveshja parashikon që koha e qëndrimit ilegal të emigrantëve në vendet e BE-së të jetë gjashtë muaj dhe në raste të veçanta kjo kohë mund të zgjatet deri në një vit. Kjo marrëveshje vjen pas premtimeve të qeverisë së re italiane për “spastrimin” e emigrantëve ilegalë, ndërkohë Franca, e cila do të marrë presidencën e radhës së BE-së, po përgatitet që kjo çështje të jetë në qendër të programit të presidencës. Anëtari i Parlamentit Europian, Manfred Ueber, u shpreh se marrëveshja “nuk favorizon kriminalitetin edhe kur ata nuk janë të pajisur me dokumentacion qëndrimi dhe u jep mundësinë të bëhen emigrantë legalë ose në të kundërt të kthehen në vendin e tyre”. Marrëveshja pritet t’i paraqitet Parlamentit në muajin qershor. Përfaqësuesit e Bashkimit Europian vlerësuan se numri i emigrantëve ilegalë ishte rreth 8 milionë vitin që shkoi. Kjo marrëveshje ka shkaktuar kritika të ndryshme nga organizatat joqeveritare, të cilat janë shprehur se “Europa po kthehet në një fortesë e mbyllur dhe po përdor të gjitha mënyrat e mundshme për bllokimin e hyrjes në territorin e saj duke dëbuar emigrantët ilegalë”.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›