E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrimi, me certifikatë jeton 6 muaj në Norvegji

Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Norvegjisë për lëvizje pa probleme. Emigrantët ilegalë duhet të provojnë se janë shtetas shqiptarë

Erald Kapri

Norvegjia dhe Shqipëria kanë miratuar një marrëveshje të ndërsjellë midis tyre për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar. Sipas kushteve të marrëveshjes, Norvegjia apo Shqipëria nuk mund të dëbojë një shtetas shqiptar apo norvegjez nga vendi për asnjë lloj arsye, përveç rasteve të veçanta. Edhe në qoftë se një shtetas shqiptar jeton ilegalisht në Norvegji dhe kapet nga autoritetet norvegjeze, në rast se ai disponon një dokument të thjeshtë që provon shtetësinë, Norvegjia nuk mund ta dëbojë të paktën për 6 muaj. Kështu, shtetasi shqiptar, i cili jeton në Norvegji, por që edhe mund ta përdorë Norvegjinë si vend transit, nëpërmjet një dokumenti të thjeshtë si pasaportë, kartë identiteti, certifikatë etj., nuk do të ketë probleme në lëvizshmërinë e tij brenda territorit norvegjez. Kjo lehtësi është garantuar nga shteti norvegjez për shtetasit shqiptarë, por që të njëjtat kushte do të plotësojë Shqipëria në rast se një shtetas norvegjez kërkon të jetojë apo të kalojë nëpër territorin shqiptar.
Marrëveshja
Shqipëria do të ripranojë me kërkesë të Norvegjisë dhe pa formalitete të reja të gjithë personat të cilët nuk plotësojnë ose nuk plotësojnë më tej kushtet për hyrje në Norvegji. Shtetasit shqiptarë duhet të provojnë se janë shtetas shqiptarë duke pasur qoftë edhe një dokument të thjeshtë identifikimi në gjuhën shqipe. Kjo dispozitë do të zbatohet edhe për personat të cilëve u është hequr ose që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare që nga hyrja në territorin e Norvegjisë, me përjashtim kur këtyre personave u është premtuar dhënia e shtetësisë nga Norvegjia. Shqipëria, sipas nevojës dhe pa vonesë, do të pajisë personin për ripranimin e të cilit është rënë dakord me dokumente udhëtimi që kërkohen për kthimin e tij, të vlefshme për një periudhë të paktën 6-mujore. Nëse për arsye ligjore ose faktike personi në fjalë nuk mund të transferohet brenda periudhës së vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit të lëshuar fillimisht, atëherë brenda 14 ditëve Shqipëria do të shtyjë vlefshmërinë e dokumentit të udhëtimit, ose mund të nxjerrë një dokument të ri. Edhe në rast se nuk arrihet lëshimi i një dokumenti të ri, atëherë shtetasi shqiptar mund të përdorë si dokument lejekalimin norvegjez të lëshuar nga Shërbimi kombëtar Policor për Emigracionin.
Dokumentacioni
Shtetasi shqiptar duhet të paraqesë edhe një dokument të thjeshtë për të vërtetuar shtetësinë shqiptare të tij. Një shtetas shqiptar mund të paraqesë një pasaportë kombëtare, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, pasaportë kolektive, pasaportë zëvendësuese, pasaportë fëmijësh, kartë identiteti të çdo lloji, përfshirë edhe kartat e përkohshme dhe karta provizore, librezat ushtarake, kartat ushtarake të identitetit, librezë marinari, karta shërbimi të kapitenëve të anijeve, certifikatë shtetësie dhe dokumente të tjera zyrtare që përmendin apo tregojnë shtetësinë. Shqipëria do të marrë mbrapsht pa vonesë çdo person të ripranuar nga Norvegjia dhe kjo e fundit do të marrë mbrapsht, pa vonesë, çdo person të ripranuar nga Shqipëria nëse vërtetohet brenda një periudhe 3-mujore pas transferimit të personit në fjalë. Në këto raste autoritetet kompetente të Shqipërisë dhe Norvegjisë do të shkëmbejnë gjithashtu të gjithë informacionin e disponueshëm që ka të bëjë me identitetin aktual, shtetësinë ose itinerarin e transitit të personit që do të merret mbrapsht.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›