E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, kualifikim me halle, Mema pranon fajin



Dash Frashëri

Tirana arriti për herë të 20-të në finalen e Kupës së Shqipërisë edhe pse u mund në ndeshjen e dytë gjysmëfinale nga Elbasani me rezultatin 3-1, për ta çuar rezultatin e përgjithshëm në 4-3 për 13-herë fituesit e Kupës, që do të gjejnë për herë të katërt në finale ekipin e Vllaznisë.
EMOCIONET E SULËS - Kualifikimi i bardhebluve përpara sfidës me Elbasanin, 2-herë fitues i Kupës, mendohej i lehtë, por takimi në “Selman Stërmasi” prodhoi emocione të mëdha për trajnerin Sulejman Mema, kur Fjodor Xhafa shënoi golin e tretë për formacionin e Krenar Alihmehmetit, dy minuta përpara mbylljes së takimit. Pjesa e parë ishte më e qetë, por fraksioni i dytë ishte i një ritmi të lartë, pasi në 45 minutat e dyta u realizuan 3 gola, ku u rrezikua edhe kualifikimi i Tiranës.
FJODOR XHAFA -Sulmuesi tiranas Indrit Fortuzi iu anuluan dy gola tërësisht parregullt, ndërkohë që vlonjati Fjodor Xhafa, një ish-sulmues i Tiranës realizoi në minutën e 43-të golin e parë për Elbasanin. Ardian Nuhiu shënoi golin e dytë për Elbasanin në të 68’, për t’i lënë radhën sërish Fjodor Xhafës në minutën e 90-të e për të çuar shifrat në 3-1 dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-3, duke marrë në konsideratë edhe fitoren 3-0 të Tiranës në “Ruzhdi Bizhuta”. Në minutën e 91-të Stavrion Lako i Elbasanit u ndëshkua me karton të kuq, por pas përfundimit të takimit edhe Mengleski, u ndëshkua me karton të kuq, pas debateve me gjyqtarin Sino.
PROFESIONISTI DURO – Elbasanasi Klodian Duro realizoi dy gola në ndeshjen e parë të fituar 3-0 nga Tirana në “Ruzhdi Bizhuta” , një prej të cilëve nga pika e bardhë. Trajneri Sulejman Mema hodhi në pjesën e dytë mesfushori e Kombëtares dhe liderin e Tiranës, i cili nuk mund të gabonte nga pika e bardhë në minutën e 47-të duke sjellë edhe barazimin e përkohshëm (1-1) gol që rezultoi edhe deciziv në kualifikimin e Tiranës. Për Duron ky ishte goli i tretë në Kupën e Shqipërisë.

Mema: “Faji im, rrezikuam sezonin”

Trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, u paraqit shumë i shqetësuar në konferencën për shtyp pas humbjes me Elbasanin, madje duke marrë përsipër edhe një pjesë të fajit. “Rrezikuam finalen. Ishte faji im në vendosjen e formacionit. Mund të kishim hedhur në erë sezonin”. Tirana u kualifikua vetëm fali një goli më shumë në rezultatin e përgjithshëm 4-3, pasi dy ndeshjet përfunduan 0-3 në Elbasan dhe 1-3 në Tiranë.

DREJT FINALES

TIRANA
Rruga që përshkoi 20-herë finalistja ishte thuajse e lehtë. Në turin e parë eliminoi Butrintin e Sarandës (2-2, 4-2), në të dytin Laçin (1-1, 3-1), në çerekfinale Kastriotin (1-1, 3-0) dhe në gjysmëinale Elbasanin (3-0, 1-3).

VLLAZNIA
Rruga e skuadrës shkodrane drejt finales nisi me eliminimin në turin e parë të Naftëtarit (3-2, 6-1), në turin e dytë të Besëlidhjes (1-0, 0-0), Besës në turin çerekfinal (2-2, 5-1) dhe Dinamos në gjysmëfinale (4-0, 3-0).

ÇEKU MISHEL
Finalja e 56-të e Kupës së Shqipërisë Tirana-Vllaznia (do të luhet më 7 maj në fushë asnjanëse) do të gjykohet nga arbitra të huaj çekë, me kryesor ndërkombëtarin e njohur Ljubo Mishel. Para dy sezonesh, kur Tirana fitoi 1-0 me Vllazninë (gol i Klodian Duros) takimi u gjykua nga italiani Stefano Farina.

KATËR FINALE

Vllaznia-Tirana do të përsërisë sfidën e vitit 2006. Bardheblutë, fituan 1-0 (eurogol nga goditja e lirë e Duros në të 65’) kundër shkodranëve në finalen e zhvilluar Lushnjë. Takimi u gjykua nga një treshe arbitrash italianë me kryesor Stefano Fariana.

DOMINIM BARDHEBLU

Dy ekipet më të vjetra, të cilat së bashku kanë fituar 18 kupa të Shqipërisë (Tirana, 13 e Vllaznia, 5) do të përballen për herë të katërt në një finale. Në tre të parat: 1986, 1999, 2006, trofeun e ka “pronësuar” Tirana, edhe pse në atë të vitit 1999, pas barazimit 0-0, bardheblutë fituan nga gjuajtjet e penalltive (3-0).

Formalitet i Vllaznisë, Dinamo e shëmtuar

Vllaznia siguroi kualifikimin me të lehtë në historinë e 12 finaleve të klubit shkodran dhe të 10-tin kundër Dinamos (8 kualifikime) pas fitores së dytë ta pastër 3-0 në “Tofik Jashari” të Shjakut, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 7-0, përfshirë edhe takimin e parë të fituar 4-0 në “Loro Boriçi”. Kështu, skuadra e presidentit Fushaj synon trofeun e 6-të, që i mungon prej 21 vjetësh, që nga viti 1987, kur në finale mposhti Flamurtarin (3-0, 1-3). Ndeshja e dytë me Dinamon ishte një kopje e së parës, por me të veçantën se në dy golat e parë për llogari të Vllaznisë, ndihmuan tërësisht futbollistët e Ilir Daja, kur së pari (i panjohuri) Bejtja realizoi autogol në minutën e 23-të e më pas kroati Dario Bodrusiç, po me autogol i dha avantazhin 2-0 skuadrës mike. Për të vulosur fitoren e thellë në stadiumin e zbrazët të Shijakut, mendoi kosovari Alban Jusufi, i cili realizoi në minutën e 90-të duke i dhënë fund me turp aventurës së kryesueses së kampionatit në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend. Në fundin e takimit, asnjë nga trajnerët nuk foli për median.

Semina, e ardhmja te turqit e Gençlerbirligi

Klodian Semina, mbrojtësi shkodran i Belasicës në kampionatin bullgar, sezonin e ardhshëm i ka të gjitha mundësitë për të qenë pjesë e skuadrës turke, Gençlerbirligi SK. “Në ndeshjen e fundit Slavia-Belasica, ku edhe Klodiani shënoi golin e vetëm për ekipin e tij ishin të pranishëm disa menaxherë turq, por dhe trajneri i skuadrës turke Gençlerbirligi, Mesut Bakal”, - tha menaxheri i tij Vata nga Skocia. Paraqitja në nivel të lartë shumë shpejt e Seminës dhe lidhjet që kanë skuadrat turke me përfaqësues të tyre në Bullgari, është edhe pikëlidhja e transferimit të dytë ndërkombëtar brenda gjashtë muajve të mbrojtësit të ri. Gençlerbirligi ndodhet aktualisht në vendin e 15-të nga 18 skuadra që ka kampionati turk, ku ka grumbulluar 32 pikë pas 31 ndeshjesh.

ADA humb ndeshjen 2-0 në tavolinë

Komisioni i Disiplinës i dha Bylisit fitoren 2-0 në tavolinë ndaj skuadrës velipojake ADA. Takimi i vlefshëm për javën e 29-të të Kategorisë së Parë nuk u zhvillua ditën e shtunë, për shkak se ADA (organizatore e ndeshjes) nuk u paraqit në kompleksin e “Kamzës” në Tiranë, pasi e priste Bylisin kryesues në kompleksin “Zmijani” në Shkodër, edhe pse drejtuesit e klubit velipojak ishin lajmëruar një ditë më parë. Vendimi i Disiplinorit mbështetet në nenin 24/42 të Kodit të Drejtësisë Sportive. Kështu renditja e re e sheh Bylisin me 67 pikë, shtatë më shumë se dy ndjekëset e tij më të afërta, Apolonia e Lushnja, të dyja me nga 60 pikë. ADA mbetet në vendin e gjashtë me 49 pikë.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›