E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja të shtojë presionin mbi Serbinë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga dialogu teknik porse ngecjet në këtë proces imponohen nga Serbia, andaj BE-ja duhet të rrisë presionin ndaj palës serbe në mënyrë që dialogu të japë rezultatet konkrete.

Ajo këto komente i bëri të mërkurën gjatë një takimi me Volfgang Valdner, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimeve euroatlantike, reformat dhe për dialogun teknik.

Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në reformat gjithëpërfshirëse në vend, për forcimin e shtetit ligjor në tërë territorin e vendit, shtimin e numrit të njohjeve, projektet e rëndësishme zhvillimore ekonomike dhe në fokusin kryesor për përmbushjen e standardeve për integrime euroatlantike.

Ajo me këtë rast kërkoi nga Austria mbështetje konkrete për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së si një proces kyç për avancimin e ardhmërisë evropiane të Kosovës në këtë fazë. Tahiri, po ashtu, kërkoi angazhimin e Austrisë për arritjen e konsensusit mes shteteve të BE-së për këtë qëllim duke vënë theksin te nevoja për të bindur pesë vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Nga ana e tij, Valdner ka siguruar zv.kryeministren Tahiri se Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovënnë integrimin e plotë në BE, NATO, Kombet e Bashkuara dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Ai ka thënë se Austria ka një angazhim të shtuar në kuadër të BE-së në mbështetje të Kosovës dhe kapërcimit të pengesave që dalin në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian (BE).

Po ashtu, Valdner çmoi lart përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal si dhe vuri në dukje konstruktivitetin e lartë të palës së Kosovës në dialogun teknik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›