Kuçi: Nuk ka kompromis me strukturat ilegale

Në një konferencë për media të mërkurën, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka përsëritur atë që ka thënë ditë më parë se në Kosovë ka nevojë për një dinamikë të përshpejtuar nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore.
“Ne jemi të koordinuar plotësisht me KFOR-in dhe EULEX-in dhe në këtë drejtim po e quaj presion pozitiv për KFOR-in dhe EULEX-in që të lëvizin në këtë dinamikë. Qeveria e Kosovës është e gatshme ta lëvizë çështjen në kuptimin pozitiv dhe të merr pjesë në cilëndo dinamikë që mund të përshpejtohet.… Nuk është problem a na lejon dikush apo jo, sepse ne jemi sovran në vendin tonë, por është problem që duhet të jemi bashkërisht në veprimet tona”, ka thënë ai.
Me gjithë presionin ‘pozitiv’, Kuçi ka thënë se duhet pasur më shumë durim ndaj veprimeve të KFOR-it në veri, përderisa shton se për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit dhe për heqjen e barrikadave ka garanci të plotë të institucioneve vendore, por edhe garanci nga obligimet ndërkombëtare.
“Duhet të jemi paksa të durueshëm në veprimet që i bën KFOR-i, por qëllimi final është gjithsesi zhbllokimi i rrugëve dhe vendosja e normalitetit në atë pjesë. Kjo nuk nënkupton që mund të bëhet për një minutë apo për një orë, por veprimet që janë të njëpasnjëshme, kanë një qëllim”, është shprehur Kuçi.
Kufiri i durimit për Qeverinë e Kosovës duhet se nuk ka fund dhe këtë e pranon edhe vetë zëvendëskryeministri Kuçi, i cili megjithatë thotë se kompromis me strukturat ilegale serbe nuk do të ketë.
“Ndoshta goxha ka kufij edhe durimi ynë, por ajo që do them unë është se kemi qenë të kujdesshëm që veprimet tona mos ta tensionojmë më shumë gjendjen. Por kompromis me strukturat ilegale dhe bllokuesit e rrugës nuk do të ketë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë plan tjetër për veriun e Kosovës, por plani i vetëm është Kushtetuta e Kosovës dhe plani i presidentit Ahtisari dhe se atje ka nevojë vetëm të krijohen kushtet për implementimin e këtyre dy dokumenteve kryesore.
Ndërsa sa i përket ‘atraktivitetit’ të përmendur disa herë nga Qeveria për qytetarët e veriut, Kuçi ka thënë se së pari duhet të zhbllokohen rrugët në atë pjesë të vendit nga zaptuesit që menaxhojnë krimin e organizuar dhe ambientin politik dhe atë të sigurisë në emër të një patriotizmi të rrejshëm, e pastaj do të ofrohet zhvillim ekonomik, zhvillim instrastrukturor dhe një qasje tjetër që u siguron serbëve të veriut mirëqenie më të mirë, integrim në jetën institucionale dhe trajtim të barabartë si në çdo pjesë tjetër të Kosovës. /kp/