E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kerkon bashkepunim. PS braktis dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes

13/10/2011  Përbri çdo programi ne kllapa edhe numri i kuotave të pranimit

Me 29 vota pro këshilli kalon të gjitha projektvendimet

Miratohet ulja e 60 tarifave taksave, struktura e re etj.

Pas largimit të përfaqësuesve të së majtës, këshilli bashkiak ka vijuar normalisht procedurën e mbledhjes, ku pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet krerëve të grupeve, me votat e 29 këshilltarëve (të pranishëm në mbledhje), është bërë e mundur miratimi i të gjitha projektvendimeve të parashikuara për këtë seancë. Konkretisht në këtë mbledhje janë kaluar projektvendimi për taksat dhe tarifat vendore, ku këshilli ka miratuar uljen e rreth 60 tarifave e taksave vendore, si një ndër nismat më të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve dhe subjekteve të biznesit nga barra fiskale e akumuluar gjatë viteve të fundit. Sipas kryebashkiakut Basha, kostoja e eliminimit të këtyre taksave e tarifave është shumë herë më e ulët se sa të mirat që do të vijnë prej tyre, veçanërisht në sektorin zhvillues dhe atë të punësimit. Në përbërje të vendimeve të miratuara ishin edhe ato për përcaktimin e strukturës së re bashkiake, që konsiston në krijimin e pesë drejtorive të përgjithshme dhe gjashtë drejtorive të tjera dhe ngritjen e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Në strukturën e re të Bashkisë pritet të funksionojë për herë të parë Drejtoria e Turizmit, një drejtori për investimet e huaja, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike. Pjesë rendit të ditës ishte edhe vendimi për hapjen e tenderit teknik për një segment të rëndësishëm të unazës së madhe nga Shkolla Teknologjike deri tek qendra “Kristal”, ajo e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Tiranës” për emirin e Kuvajtit dhe aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane Eliza Dushku. Njëkohësisht në këtë mbledhje është aprovuar edhe projektvendimi për kalimin e klubit të futbollit “Tiranës” në një shoqëri aksionere, siç e kërkon vendimi i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ofertë për marrjen e kohës së nevojshme të reflektimit

Basha: Të ulim gjakrat Opozita të bashkëpunojë

Pas më shumë se një orë debatesh të zhvilluara ndërmjet përfaqësive politike të këshillit, në mbledhje ka mbërritur edhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili ka kërkuar nga palët që të diskutojnë e të vendosin në mënyrë të civilizuar për ecurinë e mbledhjes, kjo ndonëse nuk ndajnë të njëjtat mendime mbi vendimet që duhen ndërmarrë. Basha ka ftuar përfaqësuesit e së majtës për bashkëpunim, duke u dhënë edhe ofertën për marrjen e kohës së nevojshme për reflektimin mbi projektvendimet që do të diskutoheshin në mbledhje. Basha ka deklaruar para këshillit se nevojitet vullneti dhe bashkëpunimi për të “respektuar procedurën dhe të dëgjuar njëri-tjetrin në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të Tiranës. Ai tha se opozita duhet të japë shembullin evropian. “Kërkoj të ulim gjakrat, të shtojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, - ka pohuar Basha, duke shprehur keqardhjen për vendimin e ndërmarrë nga përfaqësuesit e opozitës për braktisjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. "Shpresoj që vendimi juaj të mos jetë parathënia e vendimit të përhershëm të bojkotit. Mbetemi të hapur për një bashkëpunim", - u tha Basha këshilltarëve të majtë. Kundrejt thirrjes së kryebashkiakut për bashkëpunim, këshilltari i PS-së Aldrin Dalipi ka deklaruar se "mbledhja e këshillit bashkiak u deformua që në fillim dhe për këtë nuk mund të jemi pjesë e mbledhjes. Nuk ka mbledhje të rregullt, për këtë arsye do të largohemi”. Sipas tij, grupi opozitar do të qëndronte në këshill vetëm në rast se të gjitha procedurat e bëra në mbledhje para largimit do të ktheheshin edhe një herë nga e para.

Opozita braktis mbledhjen, por jo korridoret dhe ambientet para Bashkisë

Pavarësisht vendimit të ndërmarrë për largimin nga salla ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, përfaqësuesit e opozitës nuk janë larguar asnjë moment nga ambientet e Bashkisë. Përmes ecejakeve të vazhdueshme nëpër korridorin e Bashkisë, disa prej përfaqësuesve të opozitës kanë vijuar të qëndrojnë në ambientet pranë sallës ku po zhvillohej mbledhja për të mësuar ecurinë dhe rrjedhën e saj. Ndërkohë pjesa tjetër e udhëhequr nga kreu i grupit ka qëndruar për një kohë të gjatë në ambientet e sheshit të vogël para hyrjes së Bashkisë, duke diskutuar mbi procedurat dhe vendimin e ndërmarrë nga grupi.

Rebelohet Dalipi

Sipas Dalipit, propozimet janë futur në rendin e ditës duke u shkelur rregulloret dhe ligjet. Në emër të grupit të këshilltarëve socialistë denoncoi atë që ai e quan "skandal”: “Votimin për rendin e ditës nga ana e 2 këshilltarëve që nuk kanë marrë mandatin. Po shkelni ligjin e rregulloren. Po votojnë këshilltarë që nuk kanë marrë ende mandatin. Këta nuk mund të votojnë. Por s’keni faj, jeni mësuar në KQZ”, - ka deklaruar Dalipi gjatë mbledhjes.

Kosovrasti për rregulloren

Kreu i këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti, është kundërpërgjigjur duke thënë se këshilli nuk ka lexuar votën e dy natyrave së rinj që prisnin të merrnin mandatimin gjatë diskutimeve që të mbledhjes. Sipas Kosovrastit, vota e dhënë nga Enver Reçi, përfaqësues i së majtës në këshill, ka siguruar votat e nevojshme 27 në favor (25 kundër), për të miratuar dhe hapur udhë procedurës për miratimin e projektvendimeve të paraqitura.

Akuza e Pones

Pas përplasjeve të shumta ndërmjet përfaqësuese të opozitës dhe kreut të këshillit në lidhje me procedurën që duhej ndjekur, këshilltari i së djathtës ka kërkuar vijimin e procedurës së votimit për të mos bllokuar më tej mbledhjen. Pone akuzoi këshilltarët e majtë se kërkojnë të dëmtojnë mbledhjen dhe rendin e saj të ditës, duke kërkuar mbajtjen e deklaratave politike, të cilat, sipas rregullores, nuk duhet kurrsesi të zhvillohen në mbledhjen e këshillit.

Rrjedhja e votës

Votimi u shoqërua me debate të shumta edhe ndërmjet përfaqësuesve të aleancës për të ardhmen. Kjo pasi këshilltari Enver Reçi ka vendosur të votojë pro procedurës për miratimin e rendit të ditës, vendim që është cilësuar si një turp nga ana e këshilltarëve të majtë për rrjedhjen e kësaj vote. Ndërkohë që përfaqësuesit e së djathtës kanë përshëndetur vendimin e Reçit si hap ndihme për qytetarët.

Përplasje, debate dhe konfrontime ndërmjet palëve në këshill për aprovimin e renditë të ditës

Këshilli Bashkiak miraton paketën e Bashës

Vota e Reçit lejon ecurinë e mbledhjes. Basha kërkon bashkëpunimin me opozitën

Pranvera Kola

Lum debatesh, tensionesh dhe ngritje zërash kanë shoqëruar mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak të kryeqytetit, e dyta sa i takon administratës së re. Shkak për shpërthimin e debateve tensionuese është bërë kërkesa e kreut të këshillit Njazi Kosovratsi për hedhjen në votë të rendit të ditës, si dhe përfshirjen e tri projektvendimeve të reja në diskutimet e mbledhjes, procedurë e cila është kundërshtuar nga përfaqësuesit e të majtës në këshill, të cilët jo vetëm e kanë quajtur të paligjshme, por në kundërshtim dhe me rregulloren, pasi materialet përfaqësuesve duhej t’u ishin dorëzuar të paktën pesë ditë më parë nga koha e mbledhjes. Më tej kreu i këshilltarëve të së majtës Aldrin Dalipi ka kërkuar të lexojë edhe deklaratën e grupit, mbi incidentin e ndodhur në zyrat e tatim-taksave, ku dy punonjëse u nxorën jashtë nëpërmjet dhunës. Sipas tij, kohë më parë i është dërguar kreut të këshillit një shkresë për thirrjen e një mbledhje jashtë radhës për të diskutuar mbi incidentin ndodhur, shkresë e cila nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë Kosovrasti ka komentuar se shkresa ishte në kundërshtim me rregulloren dhe ndaj nuk ka marrë përgjigje. Kjo ka shkaktuar acarim te përfaqësuesit e së majtës, të cilët kanë reaguar duke përplasur duart mbi tavolina si dhe duke ngritur zërin për mos vijimin e procedurës, madje kanë kërkuar edhe leximin e deklaratës së tyre. Pas kësaj grupi i këshilltarëve të shumicës e kundërshtoi leximin e një deklarate të tillë dhe u largua nga salla në momentin që kreu i këshilltarëve socialist Aldrin Dalipi nisi ta lexojë atë. Njëkohësisht Dalipi ka pohuar se ë mbledhjen e ardhshme do të paraqitet edhe vendimi për shkarkimin e kreut të këshillit, për shkelje të rregullores. Më pas këshilltarët e djathtë janë rikthyer sërish në mbledhje për të vijuar procedurat normalisht duke hedhur në votë rendin ditës. Rend i cili arriti të marrë edhe votën e këshilltarit Enver Reçi (i cili iu bashkua shumicës së këshillit), vendim ky që u shoqëruar po ashtu me tensione dhe përbuzje në rrahët e përfaqësuesve të opozitës për “tradhtinë e bërë” nga përfaqësuesi i aleancës së tyre. Pas votimit të rendit të ditës këshilltarët e majtë janë larguar nga salla duke u zhvendosur në një tjetër ambiente të bashkisë për mbledhjen urgjente të grupit, e cila ka vijuar për më shumë se 30 minuta mbi vendimin që do merrnin kundrejt këtyre shkeljeve. Ndërkohë në mungesë të tyre këshilli ka vijuar normalisht procedurat e mbledhjes, ku fillimisht janë mandatar dy këshilltarët e rinj Blerina Kazaferi dhe Bojken Lako. Pas mbledhjes urgjente të këshilltarëve të majtë ata janë rikthyer në sallë për të komunikuar edhe vendimin e ndërmarrë mbi përfaqësimin, por në të njëjtën kohë në këshill është paraqitur edhe kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i cili ka kërkuar që pavarësisht përplasjeve palët politike të bashkëpunojnë në mënyrë më të civilizuar. Ditën që Bashkimi Evropian kërkoi konsensusin e palëve politike për bashkëpunimin në zhvillimin e vendit, në këshillin bashkiak ndodhi krejt e kundërta, pasi ky bashkëpunim u sabotua nga e majta këshilltarët e së cilës preferuan të braktisin mbledhjen pas debateve dhe akuzave të ngritura mbi procedurat e vendimit. Kështu, direkt pas fjalimit të Bashës, Dalipi ka pohuar se grupi i tij nuk mund të pajtohet me këtë sjellje jo të ligjshme dhe për rrjedhojë ka vendosur të largohet nga mbledhja e këshillit bashkiak. Menjëherë pas largimit të tyre kryetari Basha ka rizbërthyer edhe një herë nga e para të gjitha projektvendimet e paraqitura në këshill për miratim, duke vënë në pah dhe të mirat që vijnë për qytetin dhe zhvillimin e tij. Pas diskutimeve të zhvilluara edhe ndërmjet përfaqësuesve të komisioneve, këshilli tashmë me 29 vota pro ka arritur të miratojë të gjitha projektvendimet e propozuara nga kryetari Basha, ku dy ndër më të rëndësishmet ishin ajo për uljen e 60 tarifave dhe taksave vendore, si dhe vendimi për çeljen e tenderit për segmentin e dytë të unazës së madhe dhe organika e re e bashkisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›