E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, rihapet gara për 3500 kuota

13/10/2011  Udhëzimi i plotë me procedurat dhe kategoritë që i rikthehen garës për pranimet në publik

Konkurrimi sërish me 10 preferenca, plotësimi i A-3 nga 17-20 tetor, fituesit më 31 tetor

Rihapet gara për pranimet në universitete publike sërish. Gjatë ditës së djeshme Ministria e Arsimit ka shpallur formularin e ri të preferencave A-3, në të cilin janë listuar mbi 3500 programe studimore, që do të vihen në dispozicion të maturantëve që nuk janë shpallur fitues në asnjë nga fazat e mëparshme. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë renditjen e programeve së bashku me kuotat që do të vihen në dispozicion të maturantëve për raundin e fundit të regjistrimeve për vitin e ri akademik. Sikundër është komunikuar, të drejtën për të plotësuar këtë formular do ta kenë të gjithë ata kandidatë që nuk janë shpallur fitues në asnjërën nga dy fazat e mëparshme, janë shpallur fitues, por për arsye të ndryshme nuk janë regjistruar, si dhe të gjithë kandidatët që arritën të kalonin detyrimet gjatë sezonit të vjeshtës dhe ata që kanë studiuar jashtë vendit. Sipas përcaktimeve të bëra nga Ministria e Arsimit, në udhëzimin mbi procedurat e plotësimit dhe aplikimit saktësohet se edhe në këtë raund maturantët humbës do të hynë në garën e konkurrimit nëpërmjet listimit të dhjetë preferencave.

Afatet

Plotësimi i formularit nis më datën 17 shtator. Kështu, maturantët që duan të bëhen pjesë e studimeve të larta në publik sipas kuotave të aprovuara, duhet të paraqiten pranë shkollave të tyre të mesme në këtë datë për të marrë dhe për të plotësuar formularin. Sipas afateve të përcaktuara nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, maturantët kanë të drejtë të plotësojnë formularin deri më datën 20 tetor. Maturantët që nuk kanë plotësuar më parë formularin A-2, e marrin formularin A-3 pasi të paguajnë 2000 lekë pranë zyrave të Postës Shqiptare. Ndërkohë që ata që e kanë plotësuar A-2, por nuk janë shpallur fitues do të plotësojnë sërish formularin e ri, por nuk do të paguajnë përsëri.

Si do zgjidhen fituesit

Edhe në këtë konkurrim fituesit do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (Drejtoria e Pranimeve) në bazë të dy parimeve: ai i meritës, që përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara nga secili maturant, përllogaritur këto mbi bazën e rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të maturës shtetërore dhe për programe studimi që parashikojnë konkurse edhe pikëve të grumbulluara nga konkursi, si dhe parimi i preferencës, pasqyrohet nëpërmjet përzgjedhjes së vullnetshme të jo më shumë se 10 preferencave në formularin A-3 dhe shprehet nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese. Drejtoria e Pranimeve në AKP, pasi të përpunojë të dhënat e marra nga formularët A-3 më datën 31 tetor shpall listën e fituesve të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe sipas preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A-3, në përputhje me kuotat e rishpërndara në raundin e fundit.

Kandidatët që duhet të plotësojnë formularin A-3

Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A-3 të gjithë maturantët/kandidatët që kanë plotësuar ose jo formularin A-2 dhe:

a) Nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurrimit me formularin A-2 dhe, për rrjedhojë, nuk janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011–2012.

b) Janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A-2 dhe nuk janë të regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011–2012.

c) Rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të maturës shtetërore (qershor 2011) dhe arritën rezultate kaluese në provimet e vjeshtës (sesioni i dytë).

d) Janë regjistruar në sesionin e dytë të maturës shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të formularit A-1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet.

Regjistrimi i fazës së fundit të pranimeve në universitete nga 1 deri më 4 nëntor

- Regjistrimi i fituesve të bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1 deri 4 nëntor 2011 nga ora 8:00 deri në orën 18:00.

- Diploma e maturës shtetërore, dëftesë pjekurie (në mungesë listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë arsimore rajonale/ drejtori i zyrës arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit).

- Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi.

- Dy fotografi.

- Mandat arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekësh të lëshuar nga zyrat e Postës Shqiptare.

Regjistrimet deri më 15 tetor

Çelen aplikimet për master profesional dhe shkencor

Kandidatët që kanë mbaruar studimet e ciklit të parë universitar (bachelor), duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore në afatet e përcaktuara për të konfirmuar aplikimet e tyre për studimet master të nivelit shkencor ose profesional. Fakultetet publike në vend kanë çelur procedurat e regjistrimeve për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në këto programe. Aplikimet e përzgjedhjes së fituesve do të bëhen nëpërmjet dosjes së konkurrimit. Ndërkohë që afatet e pranimit të dosjeve me dokumentet e kërkuara do të shkojnë deri në datën 15 tetor për të gjitha fakultetet në kryeqytet, me përjashtim të atij të Shkencave të Natyrës, regjistrimet e të cilit do të vijojnë deri më datën 17 tetor. Aplikanti, pasi të ketë tërhequr pranë zyrës së informacionit të fakultetit mandatin për anketim, dorëzon dosjen në arkivin e fakultetit me dokumentet: plotësimi i formularit sipas përcaktimeve të bëra nga ç’do fakultete, fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare me listën origjinale të notave, fotokopje e dokumentit të identitetit (pasaporte, ID). 4. 2 (dy) fotografi, mandat pagesa prej 2500 lekësh (mandat pagesa pranë Postës Shqiptare sh.a), deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë (MP, MSH).

Protesta e studentëve të ekonomikut për stazhin

Dekani: Studentët nuk kanë

marrë as kreditet minimale

Studentët Ekonomikut që protestuan në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik për heqjen e stazhit, nuk do të mund të kalojnë në vitin pasardhës, pasi nuk kanë grumbulluar as kreditet më minimale të detyruara. Dekani i Fakultetit, Omer Stringa, ka reaguar gjatë ditë së djeshme duke pohuar se në këtë rast po zbatohet rregullorja e Universitetit të Tiranës dhe sistemi i Bolonjës, çka do të thotë se këta studentë janë mbetës në më se 5 provime, gati një semestër të plotë, kështu që nuk mund të sigurojnë as minimumin e krediteve që janë të nevojshme e që parashikohen gjatë tre vjetve. "Rregullorja është fare e thjeshtë, thotë se studentët, që të kalojnë në vitin pasardhës, duhet të ketë më shumë se 30 kredite. Fjala “stazh” nuk më pëlqen, sepse “stazh” do të thotë të rrish kot. Rregullorja thotë që ti nuk mund të kalosh në vitin pasardhës pa bërë 30 kredite dhe 30 kredite ju garantoj se janë jo më pak se 5-6 lëndë, dhe ato janë lëndë të rëndësishme. Ata kanë të drejtën e tyre, nuk i pengoj. Po kur gjërat janë shkruar në ligj, fakulteti është i detyruar t’i zbatojë", - ka deklaruar Stringa. Por pavarësisht rikujtimit të rregullores, studentët pohojnë se nuk do të ndalin protestën derisa të hiqet ky penalizim për ta. Sipas sistemit të Bolonjës, studenti në tre vjetët e parë duhet të grumbullojë 180 kredite, çka lejon edhe dhënien e diplomës për studimet bachellor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›