Mazhoranca harron Migjenin, vlerëson Agollin
Sot është ditëlindja e dy emrave të njohur të letrave shqipe. 13 tetori është dita e lindjes për Migjenin, poetin e mjerimit, dhe për Dritëro Agollin, poetin e realizmit socialist. Qeveria ka lënë krejtësisht në harresë 100 vjetorin e lindjes së Migjenit, duke mos e përkujtuar atë ndryshe nga sa ka bërë me poetë të tjerë të mëdhenj të Shqipërisë. Në Shkodër, në vendlindjen e tij, Jozefina Topalli e ka injoruar poetin, që jo pak herë është cilësuar si një poet i majtë. Por ndërsa harrojnë Migjenin, kjo mazhorancë kujtohet për poetin e komunizmit, Agollin, të cilit i kanë bërë edhe vizitë në shtëpi. Kryebashkiaku Lulzim Basha i ka dërguar personalisht lule atij që e uroi i pari për marrjen e detyrës.
Lulzim Basha i ka kthyer nderin me nder Dritëro Agollit. Ky i fundit, pas 8 majit, në pikun e debatit mbi anomalitë proceduriale në përcaktimin e fituesit të bashkisë së Tiranës, nuk u mendua dy herë për ta marrë në telefon e për ti bërë një përshëndetje të ngrohtë kryetarit të ri të bashkisë. Shumëkush e interpretoi këtë ngut të Agollit si një karshillëk ndaj Kadaresë, i cili ca ditë përpara Agollit, i shqetësuar nga përshkallëzimi i mundshëm i tensionit mes palëve, i kish kërkuar Bashës të bënte një tërheqje elegante nga gara. Jam qytetar nderi i Tiranës, dhe më takon të uroj qytetarin nr. 1 të këtij qyteti, sqaroi Agolli, dhe aty për aty shtoi një nga ato batutat e tij fluturake e të rrëshqitshme: unë jam dhe fshatar, dhe fshatarët urojnë për bereqetin, se aty i kemi sytë. Sot pra, në përvjetorin e 80- të lindjes së Agollit, kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka bërë një vizitë në shtëpi, ku nuk harroi të japë dhe konsiderata të natyrës letrare: Dritëro Agolli është ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë sonë. Ai është njeri me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe i pandikuar nga interesat e çastit, tha ai duke lënë një nëntekst të qartë pickues në adresë të Kadaresë, me të cilin urat janë të prishura njëherë e mirë, shkruan blogu respublica.al.