E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kerkon forcim te shtetit ligjor

Në samitin e përvitshëm mbi Ballkanin organizuar nga “Miqtë e Europës” është thënë qartë, se transformimi i thellë i vendeve të rajonit kalon vetëm përmes forcimit të shtetit ligjor. Pavarësisht nga intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, shtetet e rajonit çalojnë në proçesin e transparencës, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe përgjegjshmërisë. Për Komisionin Europian, efikasiteti i reformave mund të matet vetëm me zbatimin e tyre:

“Ne kemi prezantuar qasjen e re për kapitujt 23 dhe 24 mbi shtetin ligjor dhe të drejtat themelore. Çështja nuk është vetëm pasja e një kuadri ligjor, por sigurimi që të ketë një zbatim korrekt. Ndaj ne insistojmë që këto kapituj të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit, në mënyrë që të sigurohemi që vendet të kenë kohën e duhur për konsolidimin e shtetit ligjor”- u shpreh Sanino.

Por në garën e integrimit europian, problematikat janë të ndryshme. Ndërsa kryeministri serb ndalet tek problemet me fqinjët, mospranimi i ekzistencës së shtetit të Kosovës, cinizëm ndaj mendjemadhësisë së Kroacisë kur ajo të bëhet anëtare, apo denigrimit të Gjykatës së Hagës, problemet e Shqipërisë janë vetëm të brendshme. Diferenca është flagrante : Serbia është pranë hapjes së negociatave, Shqipëria pranë humbjes së statusit të kandidatit për 3 çështje që nuk janë thelbësore:

“Ne e ndjejmë veten here pas here nën presion, sepse kur tentojmë të sqarojmë polemikat e brendshme jashtë vendit, kjo nuk do të thotë që ne po bëjmë diçka shumë të keqe, apo që te ne po ndodh diçka që nuk ndodh në asnjë vend të botës, por sepse disa herë, tonet e politikës nuk janë aq konsensuale sado të dëshironim”- deklaroi Bregu.

E njëjtja këmbanë bie në një tjetër seli në Bruksel. Ministra të jashtëm të Bashkimit Europian që konsiderojnë se, që Shqipëria të rrezikojë statusin për mosplotësimin e tre kushteve është qesharake.

Edhe vetë komisioneri Fyle në deklaratën e tij për Shqipërinë pati si lajtmotiv frazën “Sa keq”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›