Nishani Faktori shqiptar dhe minoritetet ura miqesie

Kreu i shtetit Bujar Nishani, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas Samitit të 4 presidentëve Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, ka deklaruar se faktori shqiptar dhe minoritetet përkatëse të secilit nga të katër vendet, konsiderohen si ura të miqësisë. Për zotin Nishani, respektimi i plotë i të drejtave të tyre, arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin në rajon. Në deklaratën e tij, Presidenti i Republikës vuri theksin edhe tek bashkëpunimi i ngushtë ekonomik mes vendeve. Ai tha se në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Pasi sipas tij, eergjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global. Zoti Nishani, evidentoi edhe rëndësinë e zgjerimit akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane.