E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia per 100 - vjetorin e Postes Shqiptare

Kryeministri, Sali Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e 100 - vjetorit të Postës Shqiptare. Gjatë kësaj ceremonie u prezantua programi i informatizimit të të gjitha shërbimeve postare dhe financiare të Postës Shqiptare, si dhe inaugurimi i shërbimit më të ri të quajtur “Postieri Dixhital”, nëpërmjet të cilit do të kryhen shërbimet postare e më vonë shërbimet financiare, atje ku është klienti. 
“Është një nder i madh për mua t’ju uroj juve sot dhe të festoj së bashku me ju 100 vjetorin e themelimit të shërbimit postar, i cili u themelua në datën 5 dhjetor nga qeveria e parë shqiptare, pas shekujsh, qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë. Së bashku me ju dëshiroj të përulem me nderimin më të madh ndaj atyre mijëra grave e burrave që në një shekull shkrinë energjitë e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Merita më e madhe u takon pionierëve të këtij shërbimi, të cilët në një Shqipëri pothuajse tërësisht pa sistem rrugor kanë kapërcyer rreziqe dhe vështirësi, jo rrallë kanë lënë edhe jetën e tyre, në përmbushje të misionit fisnik të lajmëtarit, të postieri”, u shpreh Kryeministri. 
Pasi vizitoi ambientet e qendrës së monitorimit, prej nga kontrollohen dhe koordinohen të gjitha të dhënat dixhitale që vijnë nga çdo skaj i vendit, Kryeministri Berisha vlerësoi përmirësimin e cilësisë së shërbimeve nga ana e Postës Shqiptare, e cila u ofron qytetarëve rreth 90 shërbime në standardet më të larta dhe më të sigurtat që ekzistojnë në Evropë apo në botë. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se posta është shndërruar edhe në një shtyllë kryesore të Shqipërisë dixhitale.
“Posta Shqiptare është shndërruar në një avangardë të vërtetë të aplikimit të teknologjive më të avancuara. Unë pak minuta më parë isha dëshmitar i inaugurimit të shërbimit “Postieri Dixhital”, një mrekulli e vërtetë. Posta është shndërruar në një shtyllë kryesore të Shqipërisë dixhitale. Vetëm dhjetë ditë më parë ne së bashku me kryeministrin e Kosovës inauguruam në Qafë Morinë “Autostradën Dixhitale”, e cila rrit fluksin e internetit nga 30 Gb në 130 Gb. Pra një shumëfishim të menjëhershëm, duke garantuar për qytetarët që lundrojnë në internet shpejtësitë më të mëdha, spektrin më të gjerë, sigurinë më të madhe”, vuri në dukje, kreu i qeverisë. 
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Postës së Europës, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Postës së Sllovenisë, drejtues të Postë-Telekomit të Kosovës, drejtues së Postës së Maqedonisë, etj.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›