E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE kërkon rishikimin e veprës së mashtrimit, OLAF rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në funksion të rritjes së besimit

Drejtoresha në detyrë e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Salla Saastamoinen, në një intervistë për televizionin publik kërkoi përfundimin e Kodit të ri Penal në funksion të luftës kundër mashtrimit.

“Ajo që na nevojitet këtu në Shqipëri është finalizimi i Kodit të ri Penal në mënyrë që krimet kundër buxhetit të Bashkimit Europian të përcaktohen mirë dhe të zbatohen në praktikë,” u shpreh znj. Saastamoinen.

Autoriteti OLAF e vlerëson rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë.

“Ne po e mbështesim Shqipërinë me udhëzime dhe Shërbimin e Koordinimit kundër Mashtrimit. Pra, po rritet me të vërtetë kapaciteti i autoriteteve shqiptare në këtë fushë,” u shpreh drejtoresha e OLAF-it.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në funksion të rritjes së besimit të taksapaguesve europianë.

“Ne duam që puna jonë të ndihmojë për të rritur besimin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, në mënyrë që procesi i anëtarësimit që është përparësi për të dy, të shkojë përpara,” tha znj. Saastamoinen.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›