BE kërkon zgjidhjen e emrit të Maqedonisë në vitin 2012

Bashkimi Evropian (BE) është i interesuar që zgjidhja e emrit të Maqedonisë të ndodhë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2012.
Sipas agjensisë së lajmeve INA, në rast se nuk ka përparime në planin e zgjidhjes së emrit, atëherë Maqedonia do të hiqet nga axhenda e BE-së, ndërsa parashikohet edhe tërheqja e rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësim, për shkak të mospërmbushjes së kushteve.
Burime të larta pranë qeverisë së Maqedonisë theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se porosia e tillë e qartë është bërë edhe nga eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule, në takimet me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministren për eurointegrime Teuta Arifi.
Plani i qeverisë për zgjidhjen e problemit parashikon gjetjen e një zgjidhje të pranueshme rreth emrit, për përdorim të përgjithshëm dhe më pas mbajtja e referendumit, të cilin do ta shpallë qeveria e Maqedonisë.
Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule dje në Shkup theksoi se është optimist dhe pret që deri në fund të vitit të zgjidhet kontesti i emrit.
Në raportin e progresit të Komisionit Evropian që do të publikohet gjatë muajit të ardhshëm pritet që Maqedonia të kritikohet lidhur me kontestin e emrit dhe rekomandimet për mbylljen e shpejt të këtij problemi. Muaji i ardhshëm pritet të jetë vendimtar sa i përket përshkrimit të gjendjes reale të ecurisë së Maqedonisë në planin e integrimeve euroatlantike.