ACR: Pranojmë kërkesat e minatorëve përveç largimit të drejtorit
Kompania "ACR" ka deklaruar se do të plotësojë të gjitha kërkesat e minatorëve të Bulqizës përveç njërës, largimin e drejtorit të minierës. Në propozimin e ri të ACR-së theksohet se kompania do të plotësojë të gjitha kërkesat ekonomike të minatorëve si rritja e rrogës, uljen e moshës së pensionit dhe investimet në minierë por jo largimin nga detyra të administratorit të kompanisë “Albanian Crom”.
Gjithashtu ACR-ja kërkon që marrëveshja të firmoset nga kreu i industrisë Taf Koleci ndërsa nga pala tjetër do të jetë Rudolf Skache Depish, ai i cili do të nënshkuajë marrëveshjen e arritur.
Ndërkohë gjatë paradites së sotme është mbledhur komisioni i grevës i cili ka vendosur që një përfaqësi e minatorëve të takohet me kreun e bashkisë së Bulqizës Roland Keta për të diskutuar në lidhje me propozimin e ri të kompanisë ACR.
Gjithashtu minatorët kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm protestën e tyre përpara zyrave të “ACR”, në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre.
Minatorët e Bulqizës i kanë kërkuar dje Parlamentit të ndërhyjë për të zgjidhur konfliktin mes tyre dhe kompanisë ACR. Kreu i Konfederatës së minatorëve Kol Nikollaj në një konferencë për shtyp bëri thirrje për zgjidhje të situatës në Bulqizë, në të kundërt minatorët janë të vendosur të përshkallëzojnë protestat e tyre.