“Zogu i Parë”, stop parkimit në krah të majtë
Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka nxjerrë një tjetër urdhër për bulevardin “Zogu i Pare”, duke mos lejuar që makinat të parkojnë nga të dyja anët si më parë.
TIRANE - Asnjë automjet nuk mund të parkojë më në krah të majtë në bulevardin "Zogu i Parë". Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka nxjerrë një tjetër urdhër për këtë bulevard, duke mos lejuar që makinat të parkojnë nga të dyja anët si më parë. Shkak për këtë urdhër janë bërë problemet që vinin nga parkimet në të dyja anët, pasi sillnin probleme në lëvizjen e automjeteve si dhe ndotje. Me mos lejimin e qëndrimit të automjeteve në këtë segment do të rritet cilësia e pastrimit, pasi rrugët do të kenë mundësi të lahen më mirë. Por në lidhje me këtë synim të Bashkisë janë marrë masa që të ndalohet parkimi gjatë natës edhe në 16 rrugë të tjera.
Urdhri
Rritja e cilësisë së pastrimit në rrugët e Tiranës është kthyer në një nga qëllimet me kryesore të bashkisë. Ndaj, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, kanë vendosur se në bulevardin "Zogu i Parë", veç urdhrit që të mos parkojnë automjetet gjatë natës duke nisur nga ora 22:00 deri në orën 08:00, është vendosur pak ditë më parë që të mos lejohet pushimi i makinave në krah të majtë. Por edhe pse janë vendosur tabelat orientuese, ky vendim do pak ditë që të zbatohet, pasi shoferët ishin mësuar me parkimin në të dyja anët e këtij segmenti. Ndërkohë, është vendosur gjithashtu se çdo ditë të hënë dhe të premte, nga ora 22.00 deri në 08.00, në zbatim të tabelës së vendosur, qytetarët duhet të parkojnë automjetet në krahun e majtë të rrugës dhe jo në krah të djathtë, siç është bërë deri më tani.
Ndryshimi i krahut të parkimit është bërë për plot 16 rrugë kryesore të Tiranës. Por një pjesë e tyre, ditët kur duhet të mos parkojnë në krahun e djathtë të rrugës, nuk i kanë të hënë dhe të premte, por i kanë të martë dhe të enjte. Rrugët ku gjatë natës ndalohet parkimi i automjeteve nga ora 22:00-08:00 ditën e hënë dhe të premte janë: Rruga "Brigada 8", "Nikolla Tupe", "Pjetër Bogdani", Bulevardi "Zhan D'Ark", Bulevard "Bajram Curri", Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, "Gjin Bue Shpata", "Perlat Rexhepi", "Sami Frashëri", "Mine Peza" dhe "Myslym Shyri". Ndërkohë, rrugët në të cilat gjatë natës ndalohet parkimi në krah të djathtë ditën e martë dhe të enjte janë: rruga "Ismail Qemali", "Vaso Pasha", "Luigj Gurakuqi" dhe "Ded Gjo Luli". Bashkia me këtë iniciativë, po kërkon të rrisë cilësinë e shërbimit të pastrimit në kryeqytet. Kështu, firmat e pastrimit që operojnë në kryeqytet do ta kenë më të lehtë punën e tyre, sidomos sa i përket larjes speciale të rrugëve, gjë e cila bëhet tejet e vështirë për shkak të parkimit të vazhdueshëm të automjeteve.
(a.s/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)