E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Komisioni i Apelimit, sot publikohet lista zyrtare

Diskutime me sindikatën e policisë për tri çështje thelbësore Vlerësohen të pavlefshme 4 pyetje

Komisioni i Apelimit mblidhet për testimin me shkrim për gradat “Komisar” dhe sot pritet të nxjerrë rezultatet edhe pas ankesave të drejtuara nga oficerët e policisë. Ditën e djeshme, në këtë komision është ftuar edhe sindikata e policisë, ku janë ngritur një sërë problemesh dhe që po bashkëpunohet për zgjidhjen e tyre. Aty është konfirmuar se nuk ka asnjë listë të dytë, por po shqyrtohen ankesat dhe do të dalin përgjigjet përfundimtare. Sipas të dhënave, aty janë ngritur problemet teknike, që nga afatet e vendimit për testimin dhe mënyra e formulimit të pyetjeve në testim.

Burimet policore treguan se ditën e djeshme janë marrë në shqyrtim 17 ankesa nga oficerë të ndryshëm të policisë, që kanë mundur të mbledhin pikë më pak se kufiri minimal që ishte vendosur prej 60 pikësh. Gjithashtu, është sqaruar procedura që ndiqet për testimet në polici. Specialistët shpjegojnë se kjo procedurë ka të bëjë me rivlerësimin e pyetjeve në testim. Nga ankesat ka rezultuar se shumë veta nuk i janë përgjigjur të njëjtës pyetje, për arsye të formulimit. Në procedurat standarde shpjegohet se nëse një pyetjeje nuk i përgjigjen më shumë se 90% e të gjitha grupeve, atëherë ajo zhvlerësohet. Duke kontrolluar testimet kanë rezultuar katër pyetje të tilla, që të gjithë grupet nuk i janë përgjigjur në masë prej më shumë se 90%. Atëherë është vendosur që të gjithë atyre personave, që nuk u janë përgjigjur këtyre pyetjeve, do t’u shtohet nga një pikë për çdo pyetje.
Në këto kushte, komisioni i apelimit ka vendosur që të shikohen testet e të gjithë konkurrentëve, që kanë mbledhur më shumë se 56 pikë. Nëse rezulton se ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve, atëherë do t’u shtohen pikët. Por, këto pikë do t’u shtohen edhe oficerëve që kanë kaluar kufirin prej 60 pikësh. Pra, nëse një oficer nuk u është përgjigjur të katër pyetjeve që janë evidentuar nga Komisioni i Apelimit dhe në rezultatet e arritura ka marrë të paktën 56 pikë, atëherë, automatikisht ai shkon në 60 pikë dhe quhet i kualifikuar për fazat e tjera të testimit për të fituar gradën “Komisar”. Gjithashtu, edhe për ata që kanë marrë mbi 60 pikë do të ndiqet e njëjta procedurë. Por, nëse ata u janë përgjigjur këtyre pyetjeve, nuk do të përfitojnë pikë shtesë. Pikë do të përfitojnë vetëm për pyetjet që nuk janë përgjigjur nga këto katër të evidentuara.

Ndërkaq, në diskutime, sindikata ka ngritur tri probleme kyçe. Një prej tyre ka të bëjë me kohën e shkurtër që u është lënë në dispozicion oficerëve për t’u përgatitur për testim. Sipas të dhënave zyrtare, vendimi për temat ku do të përqendroheshin pyetjet ka dalë vetëm tri ditë para testimit. Kështu, sindikata ka kërkuar që herë të tjera, ky vendim të jepet më shpejt, me qëllim që t’u lënë kohë të përgatiten. çështja e dytë e ngritur nga sindikata e policisë ka të bëjë me pyetjet që lidhen me “informacionin policor”. Sipas ankesave të bëra, shumë pyetje kanë qenë të përqendruara tek “informacioni i klasifikuar policor”. Por, jo të gjithë efektivët e policisë kanë dijeni dhe kontakt me këtë lloj informacioni, kështu që nuk kanë mundur t’u përgjigjen pyetjeve të tilla, pasi siç dihet ky informacion, në të shumtën e rasteve u përket strukturave të hetimit të krimit. Ndërsa çështja e tretë ka pasur të bëjë me pyetjet logjike, me qëllim që ato të formulohen më mirë, pasi përgjigjet nuk janë të një standardi të caktuar dhe që të gjithë mund të japin përgjigje të sakta, pavarësisht se mund t’i dinë ato.

Në përfundim është vendosur që sot do të publikohet lista edhe pas ankesave në Komisionin e Apelimit, ku fitues të kësaj faze, testimit me shkrim, sipas procedurave të përcaktuara në aktet normative, konsiderohen të gjithë ata punonjës që kanë grumbulluar mbi 60 pikë. Pas testimit me shkrim të gjithë ata punonjës policie që kanë arritur të grumbullojnë mbi 60 pikë do t’u nënshtrohen dy fazave të tjera të konkurrimit, intervistës me gojë dhe ushtrimeve vlerësuese. Në përfundim të tri fazave të procesit të konkurrimit, bazuar në pikët e grumbulluara, përcaktohet dhe lista e 60 punonjësve të policisë që konsiderohen fitues dhe do të vijojnë procesin e shkollimit për gradën “Komisar”. Nëse do të ketë persona të tjerë fitues të gradës “Komisar”, ata kanë të drejtë të presin deri në dy vjet për hapjen e funksioneve të lira dhe nëse nuk u gjendet vend pune, atëherë duhet të konkurrojnë nga e para për këtë gradë. Në bazë të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku deklarohej se janë 60 vende të lira për gradën “Komisar”, u zhvillua konkursi i 600 “nënkomisarëve”, të cilët kërkuan të ngrihen një gradë më lart. Ky konkurs u realizua ditën e shtunë, por ishte planifikuar të zhvillohej që në fillim të muajit maj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›