E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, ministrat e Financave shtojnë presionin ndaj Greqisë

Ministrat e Financave miratuan po ashtu paketën e ndihmës për Portugalinë, raporton DW-ja.

Portugalia duhet të vendosë rregulla të ashpra dhe të zbatojë reformat

Ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës vendosën përfundimisht për ndihmën emergjente prej 78 miliardësh për Portugalinë. Për marrjen e kësaj ndihme Portugalia duhet të vendosë rregulla të ashpra dhe të miratojë një program të ashpër kursimesh dhe reformash. "Është me rëndësi që qeveria portugeze të zbatojë në tërësi programin e përshtatjes posaçërisht për të rikthyer sërish aftësinë konkurruese të vendit", tha të martën në Bruksel sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave, Jörg Asmusen.

Ministrat e Financave të Eurozonës kishin vendosur për ndihmat qysh ditën e hënë. Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të BE-së thuhet se kreditë emergjente për Portugalinë u miratuan "për të siguruar stabilitetin financiar si në Eurozonë ashtu dhe në Bashkimin Evropian". Nga 78 miliardët e premtuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar merr përsipër një të tretën. Pjesa tjetër, përkatësisht nga 26 miliardë do të sigurohen nga dy fonde të tjera, ai i BE-së dhe Eurozonës. 

Pas Greqisë dhe Irlandës, Portugalia bëhet kështu vendi i tretë i Bashkimit Evropian që brenda një viti merr ndihma në formë kredie nga bashkësia ndërkombëtare.

Greqia duhet të ndërmarrë përpjekje të tjera për pakësimin e borxheve

Është e qartë se "Greqia duhet të ndërmarrë përpjekje të tjera për të realizuar deri në fund programin e përshtatjes",tha sekretari shtetëror në ministrinë gjermane të Financave, Jörg Asmusen. Kjo ka të bëjë veçanërisht me të ardhurat tatimore dhe privatizimin. Në këto dy fusha vërehet nevoja e qartë për përmirësim. Kjo për faktin se deri tani nuk është privatizuar në mënyrë efektive as për një euro të vetme, shtoi Asmusen. Edhe ministrja austriake e Financave Maria Fekter ashtu si një ditë më parë shprehu pakënaqësinë e saj për gjendjen në Greqi. "Nëse i janë futur euros me dredhi atëherë tani duhet të arrijnë të bëjnë detyrat e shtëpisë."

Nuk bëhet fjalë për truke politike por për fatin e një kombi

Për kreditë emergjente ndërkombëtare prej 110 miliardësh edhe Greqia duhet të zbatojë programin e reformave dhe të kursimeve. Është paralajmëruar edhe shitja e pronave shtetërore në vlerë prej 50 miliardë euro. Këto vlerësime Asmusen i bazon në një raport paraprak të misionit të ekspertëve me përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili aktualisht po shqyrton në Athinë librat e kontabilitetit grek. Shqyrtimi sipas Asmusen duhet të përfundojë të mërkurën por misioni do të qëndrojë rreth një javë më gjatë në kryeqytetin grek për sqarimin e disa "pyetjeve" që kanë lindur ndërkohë.

Nga ana tjetër edhe komisioneri i BE-së për monedhën e përbashkët,  Olli Rehn iu drejtua me një apel dramatik politikës greke: "Nëse kjo funksionon në Portugali dhe Irandë  atëherë pse mos të funksionojë edhe në Greqi? Nuk bëhet fjalë për truke politike por për fatin e një kombi, për përgjegjësi themelore kombëtare të të gjitha forcave politike."/Start/

                                                                                             2011-05-18 11:12
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›