E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE miraton embargon kundër naftës së Iranit

BRUKSEL- Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht embargon kundër naftës së Iranit, si pjesë e sanksioneve ndaj programit të tij bërthamor. Diplomatët thonë se masat e miratuara sot në Bruksel nga 27 ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfshijnë embargo të menjëhershme ndaj kontratave të reja për produktet e naftës iraniane.

Kontratat ekzistuese me Iranin do të respektohen deri më 1 korrik. Sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg tha se, masat janë pjesë e planit të sanksioneve, duke shtuar se një gjë e tillë e dëshmon zgjidhjen e BE-së rreth kësaj çështjeje.

BE-ja aktualisht e blen rreth një të pestën e eksportit të naftës iraniane, që është pasuria më e vlefshme e Iranit. Ministrat e BE-së u pajtuan gjithashtu edhe rreth masave të tjera shtrënguese që kanë të bëjnë me bankën qendrore të Iranit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Ashton tha se presioni i sanksioneve është bërë për t'u siguruar se Irani i merr seriozisht kërkesat e BE-së për t'i vazhduar bisedimet me Teheranin rreth programit të tij bërthamor.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›