E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE ndahet për çështjet e klimës

Liderët e Bashkimit Evropian
do të vazhdojnë të
mbajnë të pandryshuar
objektivat e tyre të ruajtjes
së ambientit, pavarësisht
kundërshtive që u bënë nga disa
vende. Në takimin e liderëve të
vendeve të BE-së në Bruksel,
Presidenti francez, Sarkozi, tha
se do të gjenden zgjidhje për
ata që kanë kërkuar pakësim të
objektivave të rëndësishëm. Disa
vende pjesëmarrëse kërcënuan
se do të bllokonin marrëveshjen
e ndërmarrë një vit më parë në
lidhje me reduktimin e emetimit
të gazeve të dëmshëm për të
përmirësuar treguesit ambientalë
në Evropë. Ndarja mes vendeve
në lidhje me objektivat e klimës
bie në kontrast me unitetin
që vendet kanë për çështjet e
krizës financiare. Kjo e fundit ka
bërë që disa vende të Bashkimit
Evropian, si Polonia dhe Italia,
të argumentojnë kërkesën e tyre
për shtyrje të objektivave klimatikë.
Sipas tyre, kriza ka dëmtuar
sektorin industrial. Sarkozi tha
se paketa e klimës është shumë
e rëndësishme dhe nuk mund të
abandonohet, por as ndryshohet,
pavarësisht preteksteve apo arsyeve
që mund të jenë të rëndësishme.
Edhe kryetari i Komisionit
Evropian, Barroso, tha se beteja
për klimën nuk do të ndikohet
aspak nga ndryshimet financiare.
Një vit më parë, liderët e Bashkimit
Evropian ranë dakord që të
reduktojnë emetimin e gazeve të
dëmshëm me 20%. Për sa i përket
krizës financiare, Evropa ka
qenë shumë më unike dhe sapo
ka nisur që të llogarisë koston
e krizës në vendet e punës dhe
në rritjen ekonomike. Presidenti
francez deklaroi se BE duhet të
konsideronte një plan shpëtimi
të koordinuar, për të minimizuar
efektet e krizës financiare.
Të 27 vendet anëtare të BE-së e
mbështesin planin e shpëtimit
si dhe organizimin e një takimi
për reformën financiare botërore.
Liderët e eurozonës kanë rënë
dakord për një paketë gjithëpërfshirëse
të projektuar për të
shpëtuar bankat. Sarkozi deklaroi
se BE donte që të ndërmerrte një
takim të ngjashëm me atë të Bretton
Woods për të ridimensionuar
sistemin financiar botëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›