E Shtunë, 31 Tetor 2026

Won, Mata Hari nga Koreja e Veriut

Konsiderohet si Mata Hari e ditëve
tona, sepse si ajo e përdorte seksin
për të nxjerrë informacione nga
njerëzit me të cilët shkonte. Bëhet fjalë
për një koreanoveriore, e cila për të marrë
informata të çmuara nga një oficer koreanojugor,
kishte përdorur joshjen. Dje,
spiunia 34-vjeçare është dënuar me 5
vjet burg. Ajo u arrestua në muajin gusht,
pas akuzave për kalim të informacioneve
të klasifikuara nga Jugu në Veri të gadishullit
korean, përfshi vendndodhjet e instalimeve
kyçe ushtarake të Koresë së
Jugut, si dhe informacione personale për
oficerët dhe gjeneralët e lartë vendas.
Prokurorët kanë deklaruar se gruaja përdorte
seksin si mjet për të arritur qëllimin
e saj. Ajo kishte kontaktuar një oficer të
Koresë së Jugut dhe e kishte detyruar që
të punonte për të. Pasi ia kishte marrë
informatat, bëri një plan për ta vrarë oficerin
përmes injektimit të një gjilpëre me
helm, por nuk mundi që ta çonte planin
deri në fund. Dje, Gjykata e Seulit,
kryeqytetit të Koresë së Jugut, e konsideroi
fajtore për të gjitha akuzat spiunen.
Maksimumi i dënimit për një krim të tillë
është ai kapital. Won mbërriti në Korenë e
Jugut si refugjate, sikundër kanë mbërritur
mijëra koreanoveriorë që i ikin fshehurazi
regjimit komunist të Kim Jong Il, i cili
është edhe një nga të fundmit dhe më të
egrit regjime komuniste që ende ekzistojnë
në botë. Për shtatë vjet ajo kishte
jetuar si një qytetare e zakonshme në
Seul, një nga ato që përpiqen të adoptohen
dhe të integrohen në jetën e vendit
tjetër. Por, ndërsa kishte dukjen e një vajze
të mirë e të zakonshme, në fakt 34-
vjeçarja ishte një nga spiunet më të afta
të Koresë së Veriut, që me punën që bënte
u jepte padronëve të saj në vendin komunist
të dhëna mjaft interesante. Ajo i
njihte më së miri të gjitha bazat ushtarake
të Koresë së Veriut. I kishte vizituar
personalisht në dukje, duke mbajtur leksione
për situatën e rëndë në të cilën
ndodheshin koreanoveriorët, për shkak
të regjimit komunist. Gjatë këtyre takimeve
ajo lidhej me oficerë të ndryshëm,
të cilët i joshte dhe pasi lidhej me ta i përdorte
për t‘u marrë informacione. Ende
nuk dihet se sa oficerë dhe çfarë informacionesh
ka kaluar në vendin e saj spiunia,
që rezulton të ketë qenë ndër më të
rrezikshmet spiune të veriut të kapura në
jug të vendit, që pas ndarjes së gadishullit
në dy pjesë, pas luftës së dy Koreve.
Dyshimet për të kanë lindur me daljen e
disa informacioneve shumë të klasifikuara,
për të cilat fillimisht u fajësuan
disa oficerë të shërbimit të fshehtë dhe
vetëm pas një operacioni që zgjati dy
vjet, u mor vesh se zanafilla e gjithçkaje
ishte koreanoveriorja. Edhe historia e saj
në atdhe nuk është e pastër. Para se të
kalonte në Korenë e Jugut ajo ndodhej në
burg për vjedhje, pasi ishte kapur me
disa ton zink. Pas daljes nga burgu fillimisht,
ajo shkoi në Kinë, një vend që njihet
si transit i atyre që arratisen nga vendi
komunist. Një pjesë e madhe e
njerëzve nga Kina shkojnë në Korenë e
Jugut, ku edhe vendosin të jetojnë. Një
prej këtyre të ikurve ishte edhe 34-
vjeçarja. Pas ardhjes së parë në jug në
vitin 1999, ajo është rikthyer fshehurazi në
veri po atë vit dhe me sa duket është bërë
spiune. Detyra e saj e parë ishte identifikimi
i personave në Korenë e Veriut, të cilët
kishin ndërmend të arratiseshin në Kinë.
Pasi e kreu këtë detyrë me sukses dhe futi
në burg nga deponimet e saj shumë persona,
asaj iu ngarkuan detyra të tjera më
të vështira. Me t‘u vendosur në Seul, iu
dha një zyrë në të cilën ajo përhapte propagandë
kundër komunizmit dhe Koresë
së Veriut dhe në këtë kuadër iu dha leje që
të mbante leksione në bazat ushtarake të
vendit. Këto raste ajo i shfrytëzonte për t‘u
miqësuar me ushtarakë koreanë dhe për
t‘u marrë atyre në këmbim të seksit të
dhënat që i duheshin. Pas arrestimit të
koreanes janë arrestuar edhe disa oficerë,
që dyshohet se kanë bashkëpunuar qëllimisht
me të. Won udhëtonte rregullisht në
Kinë për t‘u lidhur me shefat e saj, të cilët
i jepnin një pagesë shumë të mirë si, edhe
gjithfarë i duheshin për të çuar më tej veprimtarinë
e saj. Më në fund, pas shumë
ndjekjesh, 34-vjeçarja u arrestua në gushtin
e kaluar, së bashku me një burrë që
hiqej si i ati i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›