E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjegulla e mëngjesit" i zë rrugën hajdutëve

Zbulohet një grup që vidhnin
makina, ndërkohë që policia
vë në pranga dy prej
anëtarëve. Burimet policore
bënë të ditur se aktiviteti kriminal
i këtij grupi shtrihej në qytetin
e Tiranës, ndërkohë që
makinat fshiheshin dhe
shiteshin në Shkodër. Burimet
policore bënë të ditur se gjatë
operacionit u arrestua Mariglen
Aliko, i cili rezulton të jetë
vjedhësi i makinave dhe Gëzim
Vajushi, i cili dyshohet se
ka ndihmuar shokun për
shitjen e tyre. Zyrtarisht, Policia
e Tiranës tha se dje, në orën
13:00, në kuadër të operacionit
të koduar "Mjegulla e mëngjesit",
në bashkëpunim me Komisariatin
1, 4 dhe seksionin
kundër krimit të pasurisë në Policinë
e Shkodrës u bë arrestimi
i shtetasve; Mariglen Aliko,
28 vjeç dhe Gëzim Vajushi, 48
vjeç, të dy të dënuar edhe më
parë për vjedhje. Policia shpjegoi
se arrestimi i tyre erdhi, pasi
dy net më parë, në orën 23:30,
në rrugën "Qemal Stafa", është
kapur në flagrancë Mariglen
Aliko, i cili po drejtonte mjetin
tip "Mercedes Benz", me targa
TR8847P, pronë e Aliko H., të
cilin sapo e kishte vjedhur në
rrugën "Ali Demi". Pas kapjes së
tij, policia ka nisur hetimet e
mëtejshme dhe nga puna e
bërë rezulton se ai është edhe
autor i vjedhjes së dy makinave
të tjera tip "Mercedes Benz".
Përkatësisht më 6 tetor, ka
vjedhur mjetin me targa
TR3235D, pronë e Tahir K., dhe
më 11 tetor mjetin me targa
TR0491G, pronë e Elvin M. "Pasi
i vidhte makinat, Aliko i dërgonte
në qytetin e Shkodrës te Gëzim
Vajushi, i cili është marrë
me shitjen e tyre", tha policia.
Ndërkohë, dyshohet se edhe
persona të tjerë janë të përfshirë
në këtë grup, por ende vazhdon
puna për identifikimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›