E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE në kërkim të politikës së jashtme

Një herë në gjashtë muaj ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë parimet bazë të politikës së jashtme. Kësaj here në takimin e Cordobës është ndryshe, se shefja e diplomacisë evropiane Ashton kërkon të japë tonin.

Metropoli andaluzian Cordoba është, sipas pikëpamjes së presidencës spanjolle të BE-së, një vend i mirë për të menduar për procesin e paqes në Lindjen e Afërme. Në fund të fundit gjatë mesjetës këtu kanë jetuar për shekuj me radhë në paqe maurë, hebrenj dhe të krishterë. Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së do të vizitojnë xhaminë me famë botërore të Cordobës, në mënyrë që t`i japin takimit të tyre strategjik, që do të zhvillohet të premten dhe të shtunën, edhe karakterin e një takimi jozyrtar.

Në takim do të marrë pjesë për herë të parë zonja Catherine Ashton, e ngarkuara me politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian. Posti sapo është krijuar nëpërmjet paktit të Lisbonës. Takimi në Spanjë është takimi i parë që zhvillohet sipas rregullave të reja. Zonja Ashton nuk është ftuar vetëm si mike e takimit, por do të duhet të drejtojë takimin e ministrave të Jashtëm. Por, presidenca spanjolle e radhës e BE-së është duke parë me shumë kujdes që ministrja e Jashtme e BE-së të mos sundojë shumë pjesë të skenës. Marrëdhëniet midis ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe Zonjës, që kërkon t`i japë politikës së jashtme të BE-së një zë dhe një imazh unik, janë të tensionuara. Catherine Ashton është duke kërkuar kompetencat e saj për të formuar territorin e saj politik, thotë një diplomat i BE-së.

Konkurrenca vazhdon ndërmjet ministres së Jashtme dhe Komisionit të BE-së për krijimin dhe zënien e vendeve të Ministrisë së re të Jashtme të BE-së, e cila do të përmbajë disa mijëra punonjës. Bashkimi Evropian kërkon të ngrejë me shumë milionë euro ambasada të reja dhe të emërojë diplomatë të rinj. Në Bruksel diplomatët kritikojnë se në Ministrinë e Jashtme tonet po vendosen më shumë nga britanikët. Gjermanishtja duhet të luajë patjetër rol të rëndësishëm si gjuhë pune në korpusin e ri diplomatik, thonë rrethet gjermane. Kryetari spanjoll i Këshillit të BE-së, Miguel Moratinos, njoftoi se në takimin e Corbodas do të bihet dakord për parimet bazë të Ministrisë së re të Jashtme. Sqarime kërkohen për shumë çështje:

"Çfarë kërkon të arrijë Bashkimi Evropian me shërbimin e ri diplomatik? Si duhet të jenë marrëdhëniet tona me fuqitë që kërkojnë të rrisin influencat? Si do ta përballojmë këtë aventurë për një politikë të jashtme më unike dhe më të fortë të Bashkimit Evropian, të bazuar në Paktin e Lisbonës?" tha Moratinos“.

Ministrat e Jashtëm me përvojë të vendeve anëtare të BE-së i tregojnë Catherine Ashton-it se është e re në parketin diplomatik. Në Komisionin e fundit të BE-së, Lady Ashton ishte e ngarkuar me politikën tregtare.

Ministrat e Jashtëm të BE-së duan të diskutojnë si mund të organizojnë më mirë në të ardhmen marrëdhëniet me shtetet që kërkojnë të rrisin influencë si Kina, India dhe Brazili. E ngarkuara me politikën e Jashtme, Ashton, paralajmëroi para pak kohës se Evropa ka rrezik të humbasë ndikimin e saj në një botë multipolare, sepse numri i popullsisë është duke rënë dhe rëndësia ekonomike po ashtu. Në vitin 2050, pjesa e Evropës në popullsinë botërore do të bjerë nga shtatë në pesë për qind. Forca ekonomike do të bjerë nga 21 në 18 për qind.

Ministri i Jashtëm spanjoll, organizator i takimit, Miguel Moratinos, thotë: „Lindja e Afërt ndodhet në një moment kthese, ku ne si evropianë duhet të japim kontributin tonë. Ne duhet të përkrahim përpjekjet e Qeverisë amerikane për rifillimin e bisedimeve.

SHBA është duke u përpjekur për rifillimin e bisedimeve të paktën indirekte midis palestinezëve dhe Izraelit, pas më shumë se një vit pushimi. Qeveria izraelite refuzon kërkesën e palestinezëve, që para fillimit të bisedimeve të reja të ndalohet ndërtimi i ngulimeve në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan. Kontaktet me Hamasin radikal, i cili sundon në Rripin e Gazës, nuk janë të mundshme zyrtarisht.

Diplomatët francezë këmbëngulin që Kombet e Bashkuara të merren sërish me çështjen e Lindjes së Mesme. Bllokimi i Rripit të Gazës dhe 1,5 milionë banorëve të tij duhet të marrë fund. Me anë të një letre ish ambasadorët francezë në rajon kërkojnë dërgimin në rajon të trupave paqësore të Kombeve të Bashkuara.

Ministrat e Jashtëm duan po ashtu të diskutojnë për politikën atomike të Iranit. Ofertat për bisedime të vitit të fundit kanë dështuar, thotë Catherine Ashton, ministrja e Jashtme e BE-së, në një takim në Bruksel.

"Ne jemi të shqetësuar për vazhdimin e aktiviteteve nukleare të Iranit. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka më besim dhe udhëheqja iraniane nuk bën asgjë për ta ndryshuar këtë“, tha Ashton.

Zonja Ashton la të kuptohet se BE është e gatshme të pranojë sanksione më të ashpra kundër Iranit. Në rripin e krizës në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, krah Iranit bën pjesë edhe Afganistani. Bashkimi Evropian është përgjegjës për rindërtimin dhe trajnimin e policisë. Në këto fusha ministrat e Jashtëm duan të bëjnë më shumë se deri tani, me objektivin që ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle e përmbledh kështu: „Ne nuk duam të rrimë në Afganistan pafundësisht. Ne duam që në vitin 2010 të fillojë kalimi i përgjegjësive në autoritetet lokale. Ne duam që në vitin 2011 të fillojmë të reduktojmë trupën ushtarake. Dhe duam që në vitin 2014 të ketë arritur dita që përgjegjësia t`i kalojë krejtësisht udhëheqjes afgane".

Të shtunën do të ftohen për bisedime jozyrtare edhe kandidatët për pranim në BE, Turqia, Kroacia dhe Maqedonia. Pastaj do të bisedohet edhe për përfshirjen në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përqendruar vëmendjen te Bosnje Hercegovina, ku në muajin tetor zhvillohen zgjedhjet parlamentare. (DW)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›