E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flota ruse në Ukrainë edhe pas vitit 2017

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovic, pas vizitës së tij të parë në Moskë, theksoi se periudha e kundërthënieve mes vendit të tij dhe Rusisë ka përfunduar.

Politika e Ukrainës ka nisur të ndryshojë me shpejtësi dhe tani ka filluar të drejtohet kah Lindja, pas fitores së Janukovicit në zgjedhjet presidenciale.

Ai menjëherë ka deklaruar se do të lejojë qëndrimin e flotës ruse në Detin e Zi edhe pas vitit 2017. Janukovic, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Moskë ku është takuar me Presidentin e Rusisë, Dimitri Medvedev tha se “do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Moskën”. Nga ana e tij, Medvedev iu përgjigj se shpresonte që tashmë zënkat mes të dy vendeve të kishin marrë fund.

Tashmë duket se Janukovic, që është mbështetur vazhdimisht nga Moska edhe në periudhat e tij të vështira do të ri-nisë me të vërtetë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Rusinë.

Ai ka premtuar që çështjet për të cilat ka pasur tension për vite me radhë mes të dy vendeve do të sqaroheshin. Për sa i përket njërës prej tyre, flotës ruse në Detin e Zi, Janukovic tha se çështja e saj do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›