Ukraina ndryshon strategji me Moskën. Flota ruse, në Detin e Zi përtej 2017
Politika e Ukrainës ka nisur të ndryshojë me shpejtësi duke marrë këtë herë drejt Lindjes pas ardhjes në pushtet të Presidentit, Janukoviç. Ai menjëherë ka deklaruar se do të lejonte qëndrimin e flotës ruse në Detin e Zi edhe pas vitit 2017. Janukoviç, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Moskë ku është takuar me Presidentin e vendit, Medvedev tha se “do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Moskën”. Nga ana e tij, Medvedev iu përgjigj se shpresonte që tashmë zënkat mes të dy vendeve të kishin marrë fund. Tensionet mes të dy vendeve u shtuan shumë gjatë qëndrimit në pushtet të paraardhësit të Jushçenkos, Janukoviç, i cili bëri të gjitha përpjekjet e tij për ta afruar Ukrainën me Perëndimin kryesisht për anëtarësimin e saj në NATO. Tashmë duket se Presidenti që është mbështetur vazhdimisht nga Moska edhe në periudhat e tij të vështira do të rinisë me të vërtetë një kapitull të ri me Rusinë. Ai ka premtuar që çështjet për të cilat ka pasur tension për vite me radhë mes të dy vendeve do të sqaroheshin. Për sa i përket njërës prej tyre, flotës ruse në Detin e Zi, Janukoviç tha se çështja e saj do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën. Flota ka marrë me qira qëndrimin e saj deri në vitin 2017, por pas kësaj deri më tani nuk dihej se cili do të ishte fati i saj. Ndërkohë që tani janë të gjitha mundësitë që ajo të qëndrojë edhe pas përfundimit të afatit.
#