E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në komisionin për Infrastrukturën për buxhetin 2026, opozita kërkon prezencën e Ballukut, mbledhja ndërpritet për disa minuta

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm është zhvilluar me debate nga opozita pasi ka kërkuar prezencën e ministren së Infrastrukturës Belinda Balluku për të bërë prezantimin  e buxheti 2026.

Deputeti i PD, Gazment Bardhi, theksoi rëndësinë e mbledhjes dhe kërkoi që ministrja të ishte prezentë.

“Mbledhja e sotme ka një rëndësi të veçantë, dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sot duhet të ishte prezent ministrja përgjegjëse dhe jo zv.ministrat. Unë e kuptoj që ka një ngërç, pasi ministrja, në vend që të japë llogari në komision, do t’i duhet të japë llogari në SPAK. Sot duhet të miratojmë në parim fondet që i japim ministrisë përkatëse, dhe ajo duhet të jetë këtu që të na bindë se si do i menaxhojë këto fonde, kur SPAK po heton pikërisht për shpenzimin e tyre. Si kryetare e komisionit, ju duhet ta thërrisni ministren për të prezantuar buxhetin. Nëse ka turp të përballet me Kuvendin, është çështje personale e saj, por ne po e kërkojmë për arsye institucionale”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit, Anila Denaj, e cila ndërpreu seancën për disa minuta për të vijuar më pas me prezantimin e buxheti 2026 nga zv.ministri i Infrastrukturës.

“Ju lutem, të fokusohemi te buxheti, për këtë jemi mbledhur. Seanca ndërpritet për prishje të rregullores, nuk mund të bëni kakofoni këtu”, tha Denaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›