Fshati Trush mes traditës, bujqësisë dhe sfidave – Fermerët e zonës mbajnë gjallë ekonominë me fermat familjare

Fshati Trush në Bashkinë Shkodër, njihet për potencialin e tij të lartë bujqësor e mbi të gjitha për traditën e hershme në blegtori.
Shumica e banorëve zotërojnë ferma familjare dhe prodhojnë qumështin me cilësi, e siguri ushqimore siç i nevojitet përpunuesit dhe tregut.
Megjithatë, pavarësisht përkushtimit dhe traditës, sfidat mbeten të shumta, siç janë përmbytjet e herëpashershme.
Në fermën e Halil Xhuretës, krerët e lopëve numëroheshin me gishtërinjtë e dorës, ndërsa aktiviteti erdhi duke e zgjeruar.
“Përmbytjet na ka sjellë probleme. Jemi të pakënaqur tek çmimi i qumështit, sa vjen dhe ulet”, tha fermeri.
Produktet e tyre, sidomos qumështi, djathi dhe mishi, jo vetëm mbulojnë nevojat e familjeve, por shpesh shërbejnë edhe si mundësi për tregti në zonat përreth. Pavarësisht pengesave, ata nuk dorëzohen. Me duar të lodhura, por me shpresën për ditë më të mira, fermerët e Trushit vazhdojnë punën çdo ditë, duke mbajtur gjallë traditën e zonës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/