E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, “pauzë reflektimi”

18/06/2005  Bilanci, asnjë mirëkuptim. Londra: Nuk heqim dorë nga zbritjet

Shirak: Një tjetër takim për të ardhmen e Unionit me 25 anëtarë. Asnjë “riorganizim”, por shtyhet afati për ratifikimet

Insistues për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ka mbetur Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Durao Baroso: “Jemi në një moment shumë kritik. Çdokush duhet të lëvizë në mënyrë që të kënaqen të gjithë. Unë kam besim, por duhet që të gjithë të bëjmë një përpjekje”.

Marrëveshje e largët, në mos e pamundur, për përcaktimin e ri të bilancit 2007-2013 të Bashkimit Evropian. Veç kësaj, është vendosur edhe një “pauzë reflektimi” për vazhdimësinë e procedurave të ratifikimit të Kushtetutës evropiane, pas kundërshtimit të Francës dhe Holandës. Këtë e ka konfirmuar Jean-Claude Juncker, Kryeministër i Luksemburgut dhe president i radhës i Bashkimit Evropian. Por nuk do të ketë edhe një her negociata lidhur me tekstin e kushtetutës, ka shtuar ai.

KUSHTETUTA

Pesha e rezultateve të referendumeve në Francë dhe në Holandë ndihet goxha. Për sa i takon ratifikimit të Kushtetutës së Bashkimit Evropian, do të verifikohet situata në qershor të vitit të ardhshëm, pas një pauze reflektimi. Ratifikimet do të duhej të përfundonin deri në nëntor të vitit 2006, por Juncker ka lënë të kuptohet se kjo datë do të shtyhet më tej. Më 10 korrik do të mbahet një referendum në Luksemburg, i cili tashmë nuk mund të shtyhet. Portugalia ka propozuar që, pas pauzës së reflektimit, të ratifikohet kushtetuta në mënyrë të njëkohëshme nga të gjithë ata vende që ende nuk e kanë miratuar dokumentin. Por, ka afate të menjëhershme për ata që tashmë e kishin parashikuar referendumin e tyre, si Luksemburgu. Do të jetë parlamenti që do të vendosë nëse duhet të zhvillohet konsultimi në lidhje me kushtetutën në datë 10 korrik, apo do të shtyhet, ka sqaruar Kryeministri luksemburgez, Jean-Claude Juncker. Por është vetë Juncker që e mbyll periudhën e tij në drejtimin e BE, duke shpjeguar “se çdo rinegociim i tekstit është i pamendueshëm”. Objektivi i vendosjes së afateve të rinj është që t’u jepet mundësi qeverive për t’iu shpjeguar më mirë qytetarëve të tyre përmbajtjen e Kartës.

Ndërkohë, Presidenti Zhak Shirak ka propozuar zhvillimin brenda një kohe të shkurtër të një mbledhjeje të jashtëzakonshme për të diskutuar të ardhmen e Bashkimit Evropian me 25 vende anëtare. Në thelb, kjo ka qenë një përpjekje për të fituar kohë, me shpresën e përmirësimit të situatës së përgjithshme.

Pozicionet e Francës (e mbështetur nga Gjermania) dhe Britanisë së Madhe kanë qenë shumë më distantë sesa kanali i Manikas. Propozimi i fundit i Junckerit nuk ka patur asnjë efekt. Ministri i Jashtëm britanik, Jack Strau, ka shpjeguar se propozimi luksemburgas (ngrirje nga 2003 të rimbursimit të pjesshëm të kontributeve britanike në BE) “nuk është i pranueshëm”.

Holanda, veç të tjerave, e ka konsideruar shumë të lartë tavanin e përgjithshëm të shpenzimeve, baraz me 868 miliardë euro, që i korrespondon 1.053 për qind të GDP të përgjithshëm të Bashkimit Evropian. Gjermania ka patur një pozicion më fleksibël: “Dëshirojmë që të lëvizim për të arritur një marrëveshje. Por, tashmë është e qartë se do të mund të arrihet diçka, vetëm nëse të gjithë do të kenë dëshirë që të lëvizin”, ka deklaruar Kancelari Gerhard Shrëder.

Krejtësisht drastik është treguar Kryeministri suedez, Goran Persson: “Nuk besoj se do të ketë një marrëveshje. Nuk jam shumë optimist. Janë disa vende si Suedia, që mbeten kontribues neto shumë të mëdhenj”. Edhe Spanja nuk është e kënaqur: propozimet e Junckerit “janë të pamjaftueshme”, sipas Kryeministrit spanjoll, Hose Luiz Zapatero. Por, insistues për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ka mbetur Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Durao Baroso: “Jemi në një moment shumë kritik. Çdokush duhet të lëvizë në mënyrë që të kënaqen të gjithë. Unë kam besim, por duhet që të gjithë të bëjmë një përpjekje”.

ITALIA

Burime nga Ministria e Jashtme italiane kanë bërë të ditur se, pavarësisht modifikimeve përmirësuese, është herët për të thënë nëse Italia do të pranojë bocën e re. Në fakt, negociatat e vërteta janë zhvilluar dje. Delegacioni italian ka vazhduar të këmbëngulë për tri kriteret e përdorurm në lidhje me dhënien e fondeve strukturore – prosperitet relativ i vendit, prosperitet relativ i rajonit dhe papunësia.

Samiti i shpresës, mosmarrëveshjeve dhe dyshimeve të mëdha të BE

Qorrsokaku i BE?!

Gynter Ferhojgen, një prej arkitektëve kryesor të zgjerimit të BE në lindje, ka përshtypjen se ngadalë po rrëshqet toka nën këmbë. Prandaj, duken logjike edhe pyetjet: në cilin drejtim po shkon BE? A është humbur me të vërtetë orientimi? A thua me të vërtetë samiti i ardhshëm do të ndryshojë diçka në këtë drejtim?

Pas dështimit të takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg, duket se BE është futur në një rrugë pa krye. Presidentët dhe kryeministrat duhet të gjejnë rrugëdalje, pas refuzimit të Kushtetutës evropiane prej francezëve dhe holandezëve. Mirëpo, kriza po përhapet edhe në institucionet e BE. Për fat të keq, ministrat e jashtëm nuk gjetën ndonjë perspektivë të qartë, e cila të çonte në afrimin e pozicioneve rreth kushtetutës apo buxhetit të BE.

Duket e pamundur që presidentët dhe kryeministrat të gjejnë ndonjë formulë shpëtimtare, kur dihet se shumë prej këtyre politikanëve përballen me gjendje të vështirë edhe në vendet e tyre. Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, po qeveris vetëm me urdhra prej së largu. Ndërsa Presidenti francez, Zhak Shirak dhe Kryeministri holandez, Balkenende, janë të dobësuar. Kryeministri britanik, Bler dhe ai italian, Berluskoni, nuk janë në gjendje që interesat e Evropës t'i vendosin para atyre kombëtare.

Në kumtesën e lëshuar para samitit thuhet se të gjithë ata duan që t'i përmbahen tekstit të kushtetutës evropiane. Por, mbetet kontestuese se kur do të arrihen synimet e kësaj kushtetute. Vendet anëtare të BE do të vazhdojnë me ratifikimin, sipas qejfit të tyre. Teksti i kushtetutës nuk mund të ndryshohet. Kjo do të thotë se kushtetuta, të cilën e ka miratuar edhe parlamenti gjerman, është e vdekur.

Politikanët e BE janë të brengosur për shkaqet, të cilat shkaktuan refuzimin e kushtetutës. Ministrat e Jashtëm nuk dhanë ndonjë përgjigje në pyetjet se si do të sigurohen më shumë vende pune, apo kur do të pranohen vendet e reja në BE. Përgjigjja e vetme ishte: BE ka nevojë për kohë, të rimendojë mirë se në cilën rrugë duhet të vazhdojë.

Presidentët dhe kryeministrat mund të fillojnë mendimet serioze vetëm në vjeshtë. Ndërkohë që zgjedhësit do të kalojnë pushimet verore, pa ndonjë përgjigje të qartë. Kjo nuk mjafton. Kështu nuk mund të ruhet projekti shekullor, i quajtur kushtetutë. Duhet filluar debatin për qëllimet dhe kuptimin e BE. Duken cinike fjalët e ministrit të Jashtëm gjerman se nuk duhet gjetur zgjedhje të përshpejtuara.

Sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë ndonjë zgjidhje as për buxhetin deri në vitin 2013 të BE. Me siguri që ky nuk është një sinjal i fuqisë udhëheqëse, sepse pozicionet kundërthënëse datojnë që prej një viti.

Problematike mund të jenë edhe negociatat për pranimin e Turqisë. Me dy palë sy tashti do të shikohet nëse ajo i ka plotësuar kushtet e parapara për fillimin më 3 tetor të negociatave për pranimin në BE. Austria e ka thënë tani më qartë se më së miri do të ishte shtyrja e negociatave për anëtarësimin e Turqisë. Në vjeshtë, Austria ndoshta do të ketë edhe një partner të fortë në këtë drejtim. Kandidatja opozitare për kancelare gjermane, Angela Merkel, thotë se duhet rimenduar kursin e zgjerimit të BE.

Për t’u diskutuar mbeten edhe kufijtë gjeografikë dhe jo vetëm integrimet në BE. Deri tani as në këtë çështje nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›