E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i parë pas imazhit të cunguar

18/06/2005  Historia e godinës së Parlamentit të parë shqiptar dhe përpjekjet për ndërtimin e një godine të re; Dëshmitarët okularë tanimë kanë vdekur, ndërsa dokumentacioni i shkruar, që mund të gjendet vetëm në Arkivin Qendror të Shtetit, është shumë i cunguar

Megjithëse kemi të bëjmë me një ndërtesë relativisht të re, vetëm 80-vjeçare, historia e kësaj godine, që sot shërben si teatër kukullash, ka humbur në mjegullën e kësaj periudhe të shkurtër, sikur të ishte një monument shumëshekullor. Dëshmitarët okularë tanimë kanë vdekur, ndërsa dokumentacioni i shkruar, që mund të gjendet vetëm në Arkivin Qendror të Shtetit, është shumë i cunguar. Janë vetëm fletë të shkëputura të një dokumentacioni dikur të plotë, prej të cilit mezi mund të krijosh të tërën.

Historia e godinës së Parlamentit të parë shqiptar, e ka zanafillën në vendimet e Kongresit të Lushnjës, që u mbajt më 21 janar 1920, të cilat ishin një rishpallje e pavarësisë së Shqipërisë, për shkak të vënies në diskutim të njohjes zyrtare të saj me kufijtë e vitit 1913 nga Fuqitë e Mëdha të pas Luftës së Parë Botërore. Ndër të tjera, Kongresi me vendimet e tij, konfirmoi sovranitetin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit, dhe anuloi marrëveshjen e protektoratit ndaj Italisë të vitit 1919. Siç shihet, pra, krijimi i parlamentarizmit shqiptar, është i një rëndësie të jashtëzakonshme historike, për pasojë dhe i godinës që shërbeu si seli e tij.

Ajo që lidhet drejtpërdrejtë me ndërtesën në fjalë, është shpallja e Tiranës kryeqytet i Shqipërisë, më 11 shkurt 1920, gjë që bëri të domosdoshme ngritjen e një godine moderne dhe funksionale për zhvillimin e veprimtarive të një parlamenti.

Kongresi i Lushnjës zgjodhi ”Këshillin e Naltë” dhe ”Senatin“, që përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga Kongresi. Senati nuk luante rolin e dhomës së lartë të Parlamentit, por të vetë Parlamentit. Për këtë arsye, për të mos sjellë keqkuptime, në mbledhjen e katërt të Senatit, më 31.03.1920, ai u quajt “Këshilli Kombëtar“, duke mbajtur këtë emër deri në janar 1924, në prag të zgjedhjes së Asamblesë Kushtetuese.

Parlamenti i parë shqiptar (i quajtur Këshilli Kombëtar), i zhvilloi mbledhjet e para në një godinë provizore, të papërshtatshme për funksionet e një parlamenti, në ndërtesën ku ndodhet sot Akademia e Shkencave.

Që në vitet e para pas vendosjes së qeverisë në Tiranë, u bënë përpjekje për ngritjen e një ndërtese të re për parlamentin shqiptar, e cila, sipas skicës së paraqitur, bashkëngjitur detyrës së projektimit, do të ishte e denjë për një qytet evropian (Fig.-----). Shkresa e ministrit të Brendshëm që i drejtohet Ministrisë së Punëve të Bujqësisë, mban datën 4 shkurt 1923. Në të i kërkohet kësaj ministrie përgatitja e projektit në dy variante.

I pari, një ndërtesë krejtësisht betoni dhe, i dyti, ku muret e jashtme do të ishin prej tullash. Shpenzimet do të përballoheshin nga donacione që do të jepte populli i Tiranës. Ndërtesa quhej ”Pallati Parlamentar“ dhe programi i tij përmbante një sallë me shkallare të harkuar për 150 vetë, si dhe llozha për këshillin e lartë, ambasadat etj., si dhe shumë ambiente të tjera, ku përfshihej biblioteka, arkivi, dhoma e policisë, sallë për shtypin, bufe etj.

Zërat e detyrës së projektimit qenë përkthyer me shkrim dore në gjermanisht, që tregon se arkitekti do të ishte me shumë gjasë gjerman apo austriak. Në skicën e projektidesë shënimet ishin gjithashtu gjermanisht. Problem paraqitet çështja e planvendosjes dhe përshtatja me arkitekturën përreth. Në të njëjtën shkresë thuhet se populli i Tiranës e kërkonte godinën e parlamentit ”dollmallije“. Ndërtesa e re u vendos të ndërtohej në vendin ku ndodhej dikur lokali i quajtur ”Kursali“, në krah të godinës së Bashkisë së vjetër të Tiranës dhe nuk ishte dollmallije, por një ndërtesë bashkëkohore e denjë për çdo parlament evropian. Megjithëse u krijua një komision me nënkryetar Ismail Ndroqin, ky projekt nuk u realizua asnjëherë. Ëndrra për ngritjen e një godine të madhe për parlamentin vazhdoi deri në vitin 1930, ku në një shkresë të datës 15.01.1930, thuhet se salla e konferencës do të ishte për 300 vetë.

Ndërkohë që bëheshin këto përpjekje, në vitin 1924 nga ushtria shqiptare e asaj kohe, kishte filluar të ngrihej një ndërtesë për oficerët, që u quajt ”Klubi i oficerëve“.

Në një letër të Ministrisë së Luftës të datës 02.07.1924, që i dërgohet Ministrisë së Punëve Botore, kërkohet një inxhinier i zoti për të kontrolluar godinën që po ngrihet në fushën e “Shallvareve” për klub oficerësh, gjë që tregon se bëhet fjalë për ndërtesën në shqyrtim, që u kthye më vonë në seli të parlamentit shqiptar. Në anë të letrës shënohet me shkrim dore në gjermanisht: ”Lutemi për një inxhinier“. Nga korrespondenca kuptohet se themelet e ndërtesës ishin ndërtuar para kësaj date. Në letrën e Ministrisë së Luftës, thuhet se themelet e godinës në fjalë deri në sipërfaqen e tokës ishin prej guri dhe po vazhdohej ndërtimi i mureve me tulla, gjithashtu që tullat prodhoheshin nga ushtarët. Në shkresën e datës 14.08.1924, që Ministria e Punëve Botore dhe Bujqësisë i dërgon Ministrisë së Luftës, jepen udhëzime për vazhdimin e mëtejshëm të punimeve. Dokumenti është shkruar fillimisht në gjermanisht me dorë dhe pastaj është përkthyer dhe daktilografuar.

Aty thuhet se është biseduar me drejtorin e Punëve Botore z.Baurat (nëpunësi më i lartë i ndërtimeve i një dikasteri) Beck dhe zotërinjtë Major Rexhep Berati, Kapiten Kodheli dhe ing.Vaja. Z.Beck duket se është shkruesi i letrës në gjermanisht.

Në pamundësi të ndërtimit të një godine tjetër më të madhe e më e përshtatshme për parlamentin, “Klubi i Oficerëve“ u përshtat si i tillë dhe kreu funksionet e godinës së parlamentit deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 Prill 1939, kur ky i fundit u suprimua nga pushtuesit.

Për dekorimin e godinës së Parlamentit, atëherë Pallati i Senatit, interesimi filloi që nga viti 1925, por u realizua vetëm në vitin 1928.

Në një Notë Verbale të datës 23 janar 1928, që ambasada gjermane në Tiranë i drejtonte Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet se inxhinieri Robert Vaja, në vitin 1925 ka marrë nga firmat gjermane ”Ehrenbauer&co“ dhe ”Schëäbische Möbelindustrie“ skica dhe projekte për dekorimin e ”Pallatit të Senatit“, të cilat z.Vaja siguron se i ka dorëzuar në Sekretarinë e Senatit. Legata gjermane kërkon që këto skica e projekte t’u kthehen firmave të sipërshënuara, të cilat kanë vlerë për to dhe se nuk është bërë konkurs midis tyre. Kjo ngjarje përkon me fillimin e dekorimit të brendshëm të Parlamentit, që u realizua me rastin e themelimit të Mbretërisë Shqiptare, e cila u shpall në këtë ndërtesë më 1 shtator 1928. Dekoracionet e godinës së Parlamentit, ku përfshiheshin dhe simbolet e mbretërisë shqiptare, ruheshin akoma edhe kur pas pushtimit italian, ndërtesa u kthye në seli të Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Por tani, pjesa dërrmuese e tyre nuk ruhen më.

Në vitin 1931 kishte përfunduar ndërtimi i kompleksit të ministrive. Në këtë kohë, ose midis viteve 1930-‚31, u bë dhe një rikonstruksion i godinës së Parlamentit. Me këtë rast u hoq kupola si dhe u rikonstruktuan të gjitha çatitë e ndërtesës, të cilat nga veshja me pllaka eterniti mbulohen me tjegulla marsejeze. Gjithashtu prishen pjesët e hapura të krahëve të rrethuara me parmakë balaustrash dhe rikonstruktohen të gjitha dritaret. Dritaret sillen në stilin e kohës dhe iu shtohen grilat. Të gjitha këto ndryshime kuptohen nga një foto e kohës, ku krahas godinës së Parlamentit shihen edhe ministritë e sapondërtuara (Fig.-----), ndërsa në një foto të vitit 1929, ndërtesa e Parlamentit na paraqitet me kupolë. Ndryshime më të vogla u bënë edhe në interier.

Me këto ndryshime, godina e Parlamentit humbi shumë nga pamja fillestare, po aq sa dhe nga vlera arkitektonike, duke u kthyer në një ndërtesë mëse të zakonshme, ndoshta nga që vazhdonte të ushqehej ende ideja e ndërtimit të një godine të re për Parlamentin, e cila nuk dihet pse nuk u realizua.

Nga programi i përcaktuar për godinën e re të Parlamentit që do të ndërtohej, ish-“Klubi i oficerëve“ kishte të përbashkët 6 llozha, të cilat ishin caktuar për Këshillin e Lartë, Këshillin Ministerial, për ambasadorët e huaj, për vizitorët e huaj, për korrespondencën e shtypit të brendshëm e të jashtëm dhe për nëpunësit e lartë. Gjithashtu godina ekzistuese kishte një numër të përafërt vendesh në sallë, por i mungonin shumë mjedise të tjera të parashikuara në projektin e ri, të cilat përbushnin kushtet e një ndërtese parlamenti evropian.

Pas suprimimit në vitin 1939, të institucionit të parlamentit, godina u kthye në Dhomën e Fashios (Seksioni për Shqipërinë) dhe më vonë në selinë e Këshillit të Epërm Fashist.

Në vitet 1950-1957, godina e parlamentit shërbeu si qendër kulture e sovjetikëve (Klubi i miqësisë shqiptaro-sovjetike), i njohur nga populli si “Klubi i sovjetikëve“. Në vitin 1960-’61, godina u përshtat në teatër kukullash, funksion të cilin e ruan edhe sot. Në dy fazat e fundit, godina pësoi ndryshime më rrënjësore dhe e humbi tërësisht karakterin e saj fillestar.

Në këtë qytet relativisht të ri, siç ishte Tirana, të shpallur kryeqytet të Shqipërisë, godina e parlamentit të parë shqiptar, në cilësinë e “Klubit të oficerëve“, është nga të parat godina me karakter administrativ e shoqëror, në stil evropian, të ndërtuara në Tiranë në vitet 1920- 1924. Para saj, në grupin e arkitekturës moderne bënte pjesë ndërtesa ku zhvilloi mbledhjet e para Këshilli Kombëtar, e ngritur më 1895 dhe banesa e Kajmekanit, ndërsa mbizotëronte arkitektura tradicionale me tipare ballkanike dhe orientale. Vetëm në vitet që pasuan pas vitit 1924, pati një bum ndërtimesh të stilit evropian perëndimor. Kjo ndërtesë për fatin e mirë u përfshi në të gjitha planet urbanistike të mëvonshme, duke mbetur pjesë përbërëse e qendrës së Tiranës. Vlera e saj historike është e padiskutueshme, si arkitekturë mbetet një rast i veçantë, në se do të sillet në gjendjen e saj fillestare dhe, përveç të tjerave, ka një histori interesante.

Gjerak Karaiskaj

(bashkëprojektues për kthimin në identitet të Parlamentit të parë)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›