E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE përshëndet planin e Greqisë për rimëkëmbjen ekonomike


Komisioni Evropian përshëndeti planin e paraqitur nga kryeministri grek Jorgos Papandreu për rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithashtu pret që Greqia të shpjegojë masat konkrete që do të vihen në zbatim për zvogëlimin e deficitit. "Mësuam për angazhimin e qeverisë greke në zvogëlimin e deficitit publik dhe borxhit nëpërmjet uljes së shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave", deklaroi në një komunikatë komisioneri për Çështjet ekonomike dhe monetare, Joaquin Almunia, komisioneri europian për mbikqyrjen buxhetore në BE.
"Buxheti i vitit 2010, i diskutuar në parlamentin grek dhe deklarata e Papandreut janë hapa në drejtimin e duhur", shtoi ai.
"Por, presim me padurim të shohim sqarime në programin e stabiliteti që pritet gjatë janarit, masa konkrete që do të forcojnë buxhetin në vitin 2010 dhe që do të sigurojnë një konsolidim të shpejtë të financave publike", vazhdoi komisioneri europian.
Papandreu njoftoi së fundmi një plan për rimëkëmbjen ekonomike me objektiv qetësimin e partnerëve europianë, por nuk hyri në detaje dhe nuk i largoi dyshimet për përshtypjen e vërtetë që do të lënë këto masa. Papandreu kërkon të shpëtojë me masa drastike nga falimentimi shtetëror vendin e tij, mbi të cilin rëndojnë borxhe prej 300 miliardë eurosh. Si masa emergjente për rimëkëmbjen e financave të shtetit Papandreu paralajmëroi shkurtimin e shpenzimeve për sigurimin shoqëror, përcaktimin e tavanit të sipërm për rrogat më të larta në sektorin publik dhe ndalimin e punësimeve të reja në këtë sektor. Veç kësaj Papandreu synon dhënien e impulseve pozitive me anë të privatizimeve dhe duke mbështetur teknologjinë për mjedisin. Sistemi i vjetëruar i pensioneve do të ristrukturohet përmes shkrirjeve të arkave të pensioneve. Do të luftohen më me forcë korrupsioni, nepotizmi dhe evazioni fiskal, do të hiqen shpërblimet në sektorin bankar shtetëror. Greqia ka humbur çdo lloj besueshmërie në parketin ndërkombëtar, tha Papandreu në Athinë. Borxhi i ri arrin në 13% të PBB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›