BE plan marshall kunder krizes

Për t’i dhënë një shtysë rritjes ekonomike në Europë, Komisioni Europian ka menduar për një plan Marshall kundër krizës. Sipas të përditshmes spanjolle, El Pais, Bashkimi Europian po përfundon një plan të investimit me 200 miliardë euro në projekte të infrastrukturës, energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë së lartë. Sipas gazetës spanjolle plani do të prezantohet në samitin e udhëheqësve të Bashkimit Europian që do të zhvillohet në muajin Qershor dhe do të përfshijë vendet më të goditura nga kriza. Në këtë plan do të paraqiten edhe burimet e financimit që parashikojnë rikapitalizimin e Bankës Europiane të Investimeve, emetimin e bonove pan-Europiane, përdorimin e fondeve të instrumenteve të stabilitetit financiar apo edhe krijimin e një agjencie të veçantë për infrastrukturën. Duke cituar burime nga Brukseli, El Pais shkruan se "Nëse tregjet nuk japin mundësi, atëherë ne do të përdorim imagjinatën për të përcaktuar programe të rritjes së ekonomisë. Investitorët institucionalë janë të interesuar për mundësi tërheqëse, dhe nëse projektet kanë firmën e Bashkimit Europian, atëherë këto fonde do të kanalizohen në projekte europiane," ka cituar El Pais burimin e vet. Gazeta thotë se një mundësi që po shqyrtohet është tu kërkohet vendeve anëtare të kontribuojnë me 10 miliardë euro për të rikapitalizuar Bankën Europiane të Investimeve. Kjo bankë duhet të rrisë kapacitetin e vet kreditues me 60 miliardë euro. Një veprim i tillë i hap rrugën investimeve në 180 miliardë euro. Një tjetër alternativë e përmendur nga gazeta është përdorimi i 12 miliardë euro të Mekanizmit të Përhershëm Europian të Stabilitetit Financiar, të mbetur nga fondet që u përdorën për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë. Kjo shumë mund të tërheqë investimet për të rritur fondin në 200 miliardë euro nga sektori privat. Shuma prej 12 miliardë euro mund të përdoret edhe si “kapital hibrid” për të mbështetur projekte të Bankës Europiane të Investimeve për partneritet të sektorit publik me atë privat në infrastrukturë dhe të financuar nga “bonot projekt”, thuhet në dokumentin e Brukselit të cituar nga gazeta spanjolle.