BE pret rezultatin e hetimeve nga EULEX-i

E pyetur se çfarë u rekomandon Bashkimi Evropian institucioneve të Kosovës lidhur me situatën në veri, ajo tha se “sa i përket rastit, EULEX-i na ka njoftuar se është duke u marrë me hetimet së bashku me autoritetet kosovare dhe shpresojmë që shpejt do të arrijnë sukses”.
Kështu, derisa EULEX-i dhe autoritetet kosovare të bëjnë punën e tyre, Kocijançiq kërkoi nga të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë. “Apelojmë te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe të lënë çështjen në duart e policisë”, i ka thënë ajo kësaj të përditshmeje.
Bashkimi Evropian, sipas saj, është shumë seriozisht duke u marrë me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetës së qytetarit në veri të Kosovës e po ashtu dënon fuqishëm incidentet e fundit atje.
Ndryshe Maja Kocijançiq, në një mënyrë përsëriti atë që e ka thënë shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, “para se të reagojë BE-ja, fillimisht organet e hetuesisë, EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë ato që duhet të kryejnë punët e tyre”.