BE pro heqjes së imunitetit të politikanëve e gjyqtarëve
Zv.kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se imuniteti i politikanëve dhe gjyqtarëve është kthyer nga një garanci kushtetuese në një barrierë, e cila ka nxitur rëndë korrupsionin në politikë dhe gjyqësor
Tiranë Programi Paka i BE dhe KiE në Shqipëri zhvilloi një tryezë me dyer të mbyllura, me temë heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve. Edhe pse fillimisht u njoftua që në këtë aktivitet të rëndësishëm do të diskutonin personalitete kryesore të drejtësisë dhe politikës, gjithë tryeza u bë larg mediave e kamerave, ndërsa ditën e djeshme, rezultatet e këtij takimi nuk u bënë publike. Në takimin e djeshëm, ku përfaqësuesit e BE dhe KiE shprehën qëndrimin pro heqjes së imunitetit, ishin të pranishëm zv.kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe kreu i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli. Të pranishmit shprehën vlerësime për nismën e Parlamentit mbi kufizimin e imunitetit të deputetëve, ndërsa kërkuan që një reformë e tillë të kryhet edhe në sistemin e drejtësisë. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve është cilësuar si një hap që duhet hedhur sa më shpejt, për të siguruar kontroll të plotë mbi sistemin e drejtësisë, i cili aktualisht perceptohet si një nga pushtetet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Ende nuk dihet qëndrimi zyrtar që kryeprokurorja Ina Rama ka mbajtur në tryezën e djeshme, pasi diskutimi i saj dhe i pjesëmarrësve të tjerë është zhvilluar me dyer të mbyllura. I vetmi që ka pranuar të komentojë çështjen e imunitetit të gjyqtarëve, ishte zv.kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili në përfundim të fjalës së tij tha për mediat se imuniteti i gjyqtarëve është kthyer në një pengesë për garantimin e parimit universal për barazi para ligjit. Spahiu shprehu nevojën emergjente për heqjen ose kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve. “Imuniteti nga një garanci kushtetuese, është shndërruar në një barrierë, e cila ka nxitur rëndë korrupsionin në politikë dhe korrupsionin në gjyqësor, këto vitet e fundit”- deklaroi nr. 2 i KLD-së. Sipas tij, fatkeqësisht, imuniteti është kthyer në një barrierë, e cila ka siguruar një pabarazi të shtetasve shqiptarë në vend, që do të thotë se qytetarët janë pjesë e dorës së dytë të shoqërisë, ndërsa një pjesë e politikës apo gjyqtarë kanë qenë ajo pjesë e privilegjuar dhe e paprekshme nga ligji duke keqintepretuar dhe keqpërdorur shpesh herë ato garanci kushtetuese që vinin nga imuniteti. Spahiu theksoi se “është e domosdoshme gjetja e mjeteve ligjore për heqjen një orë e më parë apo kufizimin e imunitetit të gjyqtareve, për t’i bërë ata qytetarë të barabartë para ligjit dhe para drejtësisë”. Gjatë fjalës së tij, Spahiu tha se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni i cili për shkak të përbërjes është rrugë takimi ku pavarësia e pushteteve kryqëzohet me kontrollin e balancuar kushtetues. Si i zgjedhur nga Kuvendi, por dhe nga përfaqësuesit e gjyqësorit në krye të këtij institucioni, më duhet të shpreh angazhimin dhe përgjegjësinë jo vetëm për të përçuar vullnetin e Kuvendit, por edhe për të afruar një qasje juridike dhe zgjidhje të shpejtë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, pavarësisht diversitetit të këtij diskutimi”. Duke u ndalur te heqje e imuniteti të gjyqtarëve, nr. 2 i KLD-së theksoi se kjo është çështje e ditës, pasi me dhjetëra iniciativa, kontrolle, inspektime nuk kanë eficencë apo rezultat, pasi ato minimizohen në probleme disiplinore, duke pamundësuar në këtë mënyrë luftën kundër korrupsionit. “Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona në favor të këtij debati dhe gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë”- deklaroi Spahiu.