“Arma me të cilën u vetëvra Myrtaj kishte vetëm një plumb”
Fier Prokuroria e Fierit ka arritur në konkluzionin se vdekja e 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj ka ardhur si pasojë e një plumbi të marrë në anën e djathtë të kokës, duke e konsideruar ngjarjen si vetëvrasje. Në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë dhe ata të mjekësisë ligjore, grupi hetimor i çështjes ka analizuar në mënyrë të imtësishme të gjitha provat dhe detajet e mbledhura në vendin e ngjarjes, të cilat tregojnë se Myrtaj, djali i demonstruesit të vrarë më 21 Janar ka qëlluar mbi veten. Goditja ka qenë vdekjeprurëse, pasi plaga e shkaktuar nga një pistoletë tip “Mini Blou” ka qenë në tëmthin e djathtë të kokës, me drejtim nga e djathta në të majtë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 22-vjeçarit, i cili sipas familjarëve nuk kishte shfaqur shenja depresioni. Ndoshta kjo do të jetë pjesa më e vështirë e këtij hetimi, pasi ende nuk ka një motiv që mund të ketë detyruar Bardhosh Myrtajn që të vetëvritet me plumb në kokë, përveç vrasjes së babait të tij në demonstratën e 21 Janarit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka mundur të sekuestrojë armën, një pistoletë tip “Mini Blou”, por pa krehër. Sipas të dhënave rezulton se 22-vjeçari, pasi ka siguruar armën që mund të gjendet lehtësisht, ka futur vetëm një fishek në folenë e pistoletës, duke qenë i sigurt se goditja do të ishte vdekjeprurëse. Mosgjetja e krehërit të pistoletës, sipas prokurorisë, tregon se gjithçka mund të ketë qenë e paramenduar dhe fisheku ka qenë në folenë e armës, gati për t’u qitur. Ky fakt pasohet edhe nga prova të tjera të mbledhura në vendin e ngjarjes, por edhe nga hetimet e deritanishme.
Sipas ekspertëve rezulton, se pasi është vetëqëlluar me plumb në kokë, trupi i pajetë i 22-vjeçarit ka rënë në gjendje të lirë, duke shkaktuar kështu edhe shkëputjen e pistoletës nga dora e djathtë e Bardhosh Myrtajt. Pistoleta është gjetur vetëm disa centimetra larg dorës së djathtë, e cila ka qenë gjysmë e shtirë. Nga këqyrja e armës, ekspertët kanë mundur të sigurojnë gjurmët e gishtave, të cilat përputhen me ato të 22-vjeçarit. Gjurmë janë gjetur në dorezën e pistoletës, por edhe në këmbëzën e saj, të cilat gjithashtu tregojnë se ka qenë 22-vjeçari që ka shkrehur vetëm një fishek, i cili i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Të gjitha këto të dhëna janë krahasuar nga hetuesit me të tjerë elementë që kanë siguruar nga familjarët e 22-vjeçarit, por edhe nga tabulatet telefonike. Sipas tyre, rezulton se Bardhosh Myrtaj komunikimet e tij të fundit i kishte me të afërmit, si dajën apo edhe persona të tjerë të familjes. Prokuroria nuk ka mundur të gjejë asnjë komunikim, apo bisedë të tij me persona të panjohur, çka mund të hidhte dyshime për një pistë të ndryshme nga ajo e vetëvrasjes. E vetmja pikë e errët në këtë çështje mbetet motivi që mund të ketë detyruar 22-vjeçarin Bardhosh Myrtaj t’i jepte fund jetës 2 muaj e gjysmë pas vdekjes së të atit. Sipas deklarimeve që familjarët e tij kanë dhënë në prokurori, rezulton se i riu nuk kishte shfaqur asnjëherë më parë shenja depresioni, çka e bën akoma më të vështirë përcaktimin e motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike për familjen Myrtaj.