Plagoset mbështetësi i PS-së, shkonte në takimin e Ramës
Tiranë Një 16-vjeçar, simpatizant i Partisë Socialiste, ka mbetur i plagosur me thikë pasditen e djeshme pas një konflikti me disa simpatizantë të LSI-së. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme, në lagjen ‘Komuna e Parisit’, në njësinë nr. 5 në kryeqytet, para takimit elektoral të kryebashkiakut aktual me banorët e kësaj zone. Gjatë rrugës për në vendin ku do të zhvillohej takimi, 16-vjeçari Ali Doçi është konfliktuar me disa të rinj, që, sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, kanë qenë aktivistë të LSI-së. Si pasojë e këtij sherri, ka mbetur i plagosur 16-vjeçari Doçi, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet nën trajtimin intensiv të mjekëve. Sipas të dhënave të para nga Spitali Ushtarak, rezulton se i riu ka marrë katër goditje me thikë, njëra prej të cilëve i ka shkaktuar dëmtime në mushkëri. Fillimisht mjekët dyshuan se 16-vjeçari mund të ishte qëlluar në zemër, por pas ekzaminimeve rezultoi se ai kishte marrë katër plagë thike, një prej të cilave në pjesën e majtë të gjoksit, ndërsa tre të tjerat në shpatull dhe shpinë. Burime pranë spitalit informuan se Ali Doçi aktualisht është nën kujdesin e mjekëve dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Teksa 16-vjeçari i plagosur ndodhet në spital, Lëvizja Socialiste për Integrim është distancuar nga kjo ngjarje, e cila është filmuar nga disa kamera që ishin të pranishme për të pasqyruar aktivitetin elektoral të kreut të Bashkisë, Edi Rama. Sipas pamjeve të transmetuara nga disa televizione, rezulton se i riu është konfliktuar me disa persona që ndodheshin pranë qendrës elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në lagjen “Komuna e Parisit”, e njohur si zona e qendrës “Kristal”. Pas konfliktit, i plagosur shfaqet me një njollë gjaku në pjesën e djathtë të shpinës, teksa shoqërohet nga një shok i tij. Kamerat menjëherë fokusojnë thikën që është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Kjo skenë duket se është ndjekur gjatë gjithë kohës nga një makinë policie, e cila ka qenë e pranishme për të garantuar sigurinë e takimit elektoral të kreut të PS-së. Edhe pse ngjarja ka zgjatur disa minuta, në konfliktin mes të rinjve nuk ka asnjë uniformë blu edhe pse automjeti i patrullës ndodhej vetëm disa metra larg vendit ku u plagos 16-vjeçari. Forcat e policisë afrohen pranë vendit të ngjarjes vetëm pasi i plagosur është larguar nga një shoku i tij, ndërsa në vendin ku ndodhi konflikti ka mbetur vetëm arma e krimit. Kjo ngjarje, sipas policisë së Tiranës, ka ndodhur në grindje e sipër ndërmjet të dëmtuarit dhe disa moshatarëve të tij, dhe nuk ka lidhje me aktivitetin e subjektit elektoral në fjalë. Por burime pranë Partisë Socialiste thanë se 16-vjeçari i plagosur është aktivist i Partisë Socialiste, pavarësisht moshës së tij të vogël. Në momentet e ngjarjes, sipas burimeve, i riu ka qenë duke shoqëruar xhaxhain e tij, i cili është mbështetës dhe i angazhuar pranë Partisë Socialiste. Në momentet e ngjarjes, i dëmtuari, xhaxhai i tij dhe shumë mbështetës të PS-së kanë qenë duke shkuar në takimin elektoral me kreun e Bashkisë së Tiranës, i cili do të prezantonte Projektin e Tiranës së të Ardhmes. Partia Socialiste ka akuzuar simpatizantët e LSI-së për këtë ngjarje, edhe pse policia tha se autori i plagosjes së 16-vjeçarit është shpallur në kërkim, por pa dhënë detaje për identitetin e tij. Mbrëmjen e djeshme, i plagosuri është vizituar në Spitalin Ushtarak nga deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni. Në një prononcim për mediat, deputetja Gjermeni tha: “Sigurisht besojmë dhe jemi të mendimit se ata që kanë sulmuar janë vërtet ata që përfaqësojnë aleancën PD-LSI. Kjo është diçka që duhet ndaluar”.