E Diel, 1 Nëntor 2026

Tunel për grabitjen e bankës në Tiranë, në gjyq dy autorët

TIRANE Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dy persona që në shtator të vitit të kaluar tentuan të grabitnin një bankë në Tiranë duke ndërtuar një tunel nga dyshemeja e një dyqani ngjitur me të. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës konfirmuan mbërritjen për gjykim të dosjes me të pandehur Tahir Belegun dhe Taulant Troplinin. Sipas prokurorisë, ata akuzohen për veprën penale të vjedhjes së bankave dhe të arkave të kursimit, mbetur në tentativë. Dosja në fjalë mban numrin 1322 në Gjykatën e kryeqytetit, ndërsa trupi gjykues, i përzgjedhur me short, ka si kryesues në shqyrtimin e saj gjyqtarin Gerd Hoxha. Të akuzuarit në këtë dosje, Tahir Belegu dhe Taulant Troplini, u arrestuan më 22 shtator të vitit të kaluar, pas dyshimeve se po përgatiteshin për të grabitur kasafortën e një banke të nivelit të dytë në zonën e pallateve 9-katëshe në Tiranë. Ata kishin marrë me qira një ambient dyqani ngjitur me ambientet e bankës. Në vijim ata kishin gërmuar një tunel në dyshemenë e tij, tunel që dyshohet se do të dilte në arkivin e bankës. Pas arrestimin, në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tyre, ata nuk e pranuan akuzën. I pandehuri Belegu tha në atë seancë se gropën në dysheme e kishte hapur për të vendosur një kasafortë. Do të vendosja një kasafortë poshtë te hekurat. Është hapur gropa. E kam bërë gati për të vendosur kasafortën. Kam marrë edhe çimento me të cilën do të bëja mbylljen e saj, u shpreh në gjykatë Belegu, në seancën ku gjykata caktoi masën arrest me burg për të dhe të bashkëpandehurin e tij.                                                     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›