Edmond Budina: Ju tregoj pazarin me zhvarrimet e Kosinës
Ballkanasit janë njerëz të çuditshëm. E pamundur të gjejnë rehat e të mos grinden mes tyre. Gjithnjë do ta gjejnë një histori shekullore për tu grindur me fqinjët.Diku do të zhvarrosin ca eshtra stërgjyshërish, diku ca fantazma idesh të mëdha… Kur dëgjoi historinë e zhvarrosjeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ku eshtrat e fshatarëve denbabaden shqiptarë u pagëzuan greke, regjisori dhe aktori Edmond Budina mbeti gati i shokuar. Në shekullin XXI flitet ende për të tilla gjëra! Le pastaj, kur sipas një konsulli grek, meqë në varret e stërgjyshërve të tij në Korçë shkruhej me germa greke, ai vetë duhej të ishte grek. E nuk e paskësh ditur!!! Të gjitha këto janë të mjaftueshme për të ngritur një film. E ka quajtur Ballkan bazar dhe ka përfshirë në të edhe francezë, italianë, grekë, shqiptarë… Megjithëse historia vërtitet mes tragjikes dhe groteskes, Budina ka vendosur ti japë një ngjyrim humori. Të qeshim me të metat tona dhe me këto idera të vjetruara nacionaliste, thotë ai. Përpara premierës, regjisori, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali, tregon si lindi Pazari ballkanik, përzgjedhja e aktorëve, vështirësitë financiare etj.
Të kthehemi pas në kohë, qysh atëherë kur vendosët të realizonit Ballkan bazar. Si erdhi nxitja?
Ballkan bazar ka nisur si një projekt pas ngjarjes së Kosinës. Një ngjarje tronditëse, që mua personalisht më ka çuditur, sepse nuk e prisja që të ndodhte një gjë e tillë në vitin 2006. Në një kohë që mendojmë të shkojmë drejt Europës, të jemi tolerant me njëri-tjetrin, që mendojmë se duhet të jenë zhdukur, apo pakësuar nacionalizmat, idetë e Greqisë së Madhe, apo Shqipërisë së Madhe, ndodh një fenomen i tillë. Zhvarrosen civilë për ti numëruar si ushtarë grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore dhe kjo bëhet me synimin për të tjetërsuar këto troje ku këta ushtarë kanë rënë, për të thënë që këto janë varre dhe troje greke. Kjo përkon edhe me një tjetër ngjarje aktuale, kur një konsull grek në Korçë, prej së cilës unë vij, deklaron që banorët e Korçës janë grekë, sepse mbi varret e tyre shkruhet në gjuhën greke. Pra ai synim që fshihet pas zhvarrimeve përkon me atë që ky konsull thotë në ditët tona. Kjo ishte një ngjarje që mu duk shumë tërheqëse për tia përcjellë publikut, por parë nga një këndvështrim tjetër, sigurisht.
Megjithëse është një ngjarje tronditëse, ju e keni trajtuar me nota humori…
Realisht kjo është një ngjarje dramatike, serioze, por që nuk më takon mua të merrem me këtë, por historianët, politikanët… Unë si artist doja ta shihja me një sy tjetër, doja ta vija në lojë këtë fenomen dhe në film nuk mbaj asnjë lloj qëndrimi. Nuk mbaj krahun as të shqiptarëve dhe as të grekëve, por mbaj anën e atyre njerëzve që janë të ndershëm me veten e tyre, ata që kanë një farë morali dhe koherence. Unë jam kundër nxitjes së konflikteve dhe zhvarrosjes së fantazmave të së shkuarës, së ngjarjeve që kanë ndodhur 500 apo 600 vjet më parë dhe të rivendikojmë territoret, apo përkatësitë e një kombi a të një tjetri. Ne duhet ta respektojmë dhe ta duam njëri-tjetrin. Kjo më ka shtyrë të trajtoj Ballkan bazar-in. Por e gjitha kjo duhet parë me një buzëqeshje. Sepse ndodh si në ato rastet, kur je duke pirë në një tavolinë e nëse lind një debat, dikush mund të nxjerrë një thikë edhe të ta ngulë, kurse duke bërë shaka, ti qesh, madje dhe me të metat e tua, krijohet një atmosferë e gëzueshme dhe nuk e ndiejmë atë largësi që kemi me njëri-tjetrin. Por fiton ana njerëzore, e mirë, e dashurisë. Në këtë aspekt, Ballkan bazar e ka këtë natyrshmëri e ndjesi humori. Sepse ndihmon për të qeshur, por edhe për të reflektuar mbi gabimet tona e për të thënë: Ej, ku po shkojmë?!
Keni pasur ndonjë problem gjatë xhirimeve, apo prisni ndonjë reagim nga komunitetet, apo përfaqësi diplomatike?
Të them të drejtën, një lloj frike e kam pasur. Me këtë rast u kërkoj ndjesë të gjithë gazetarëve që kanë dashur të bëjnë intervista me mua përpara se të xhiroja filmin. Nuk kam pranuar sepse nuk doja të lija shtigje për keqkuptime pa u bërë filmi, sepse gjithçka mund të ndodhë, ka njerëz të ndjeshëm që reagojnë. Tani që filmi ka dalë, gjithkush mund të japë mendimin e vet dhe unë jam dakord me këtë. Gjatë xhirimit nuk kemi pasur asnjë kontradiktë apo përplasje, edhe pse kishim edhe aktorë që vinin nga Greqia, me origjinë greke, të huaja, franceze, italiane. Madje dy të huajave u dukej shumë e çuditshme kjo ngjarje në fillim, por kur erdhën këtu dhe e prekën me dorë realitetin, kuptuan se ajo çka tregohej në film nuk ishte një realitet i stisur, por një fakt real. Sigurisht, nuk kanë marrë pozicione me shqiptarët, apo grekët, por e kanë kuptuar më mirë këtë realitet dhe dinë ta transmetojnë në vendet e tyre. Kjo histori duket e pabesueshme, sidomos në Perëndim, por ja që është një realitet që ndodh në Shqipëri dhe, për fat të keq, vazhdon të ndodhë me regjistrimin e popullsisë, me zhvarrimet që janë bërë, varrezat e Boboshticës, ngjarjet në Himarë. Është një temë shumë delikate, që prek si dinjitetin e grekëve, edhe të shqiptarëve dhe u bën dëm të dy popujve, kështu që është më mirë që të qeshim pak dhe të tallemi me këto ndjesi nacionaliste dhe të shohim para dhe jo pas.
Si reagonin banorët e Labovës kur ju shihnin të luanit rolin e një prifti me mjekër të gjatë e rasë të zezë?
Në Labovë të Kryqit banorët ishin shumë mikpritës, shumë të dashur dhe unë e kam ndjerë veten si askund tjetër të përkëdhelur. Banorët e Labovës më shihnin gati-gati me adhurim dhe kam mbetur i befasuar nga e gjitha kjo. Me gjithë zhgunin e priftit, me gjithë mjekrën e madhe, me gjithë pozicionin tim si regjisor e aktor, më kanë pritur dhe kanë reaguar shumë mirë. Aq më tepër që Labova është një fshat shumë shqiptar, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ka tradita të lashta të ortodoksisë me kishën e vjetër etj. Është një popull që ka një ndjeshmëri të lartë, një njerëzillëk dhe qytetari që është për tu admiruar.
Keni përzgjedhur një kastë ndërkombëtare për filmin. Ishte një trill regjisorial, apo dëshironit ta zgjeronit sa më shumë territorin e ngjarjeve?
Nuk ka të bëjë me trillin. Kur u shkrua skenari, në të është një personazh francez, një italian, ka grekë, shqiptarë dhe, natyrisht, unë i zgjodha në përkatësi të personazhit dhe jo me qëllim që ti përziej. Por natyrisht, duke i marrë nga vende të ndryshme, kjo krijoi dhe një atmosferë krijuese interesante. Komunikonim në shumë gjuhë, kultura dhe ishte shumë bukur të shihje se si komunikonin në greqisht, italisht, apo frëngjisht e anglisht. Në këtë aspekt ishte një vend ku kishe qejf të punoje.
Po qysh në krye të herës, përse e menduat kështu?
Ngjarja mu duk interesante. Kishte dhe një mendim që nuk arrita ta realizoja siç duhej edhe për shkak të buxhetit të vogël, ku doja të vija në lojë pak edhe veteranët francezë në raport me ata italianë. Sepse të mos kujtojmë se këto probleme ekzistojnë vetëm mes Shqipërisë e Greqisë. Francezët i shohin me një lloj përçmimi italianët dhe në film është një batutë kur francezja thotë: Eeee italianët, dihet si janë ata. Kështu që doja ti jepja një frymëmarrje më të gjerë, pasi këto fenomene nuk ndodhin vetëm në Ballkan. Por, nga ana tjetër, edhe për një publik të huaj, i cili, në një mënyrë apo në një tjetër, do të gjejë veten. Por vihet re që në Ballkan, në Shqipëri, diplomatët e huaj pozicionohen me njërën apo me tjetrën parti. Dhe unë doja që gjithë këtë atmosferë ta jepja në film, përmes dy personazheve, francezes dhe italianes, të cilat bien në baltën shqiptare dhe përzihen në këtë kazan apo pazar ballkanik. Njëra dashurohet me një shqiptar, tjetra me një grek e fillojnë të diskutojnë pastaj për kulturën: Kjo është shqiptare, kjo është greke etj., sipas influencave