BE publikon foton e takimit Thaçi – Dacic

Ky takim është zhvilluar të premten në Bruksel ku pas përfundimit të tij ishin dërguar fotografi vetëm nga takimet e ndara që Ashton ka pasur me Thaçin e Dacic.
Bisedime pa agjendë
Zëvendës kryeministri në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar sot se takimi i djeshëm, midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq ka qenë një takim i pritur dhe se nga vazhdimi i tij nuk ka kurrfarë rreziku për Kosovën, pasi që ai mbështet fuqishëm nga BE-ja dhe SHBA-të.
Ndërkohë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur sikurse më parë pro dialogut me Serbinë, por jo për tema që prekin integritetin, sovranitetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës. Nga ana tjetër, publicisti, Veton Surroi, konsideron se Kosova po hynë në bisedime me Serbinë pa platformë dhe pa agjendë të duhur.
Këto komente Kuqi dhe Mustafa i kanë bërë pas një ceremonie të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rastin e pranimit të saj në Partinë Popullore Evropiane.
Zëvendës kryeministri, Kuqi ka siguruar se takimi i djeshëm në mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq nuk paraqet kurrfarë rreziku për Kosovën.
“Ky takim i ka hapur mundësitë për dialog në të ardhmen por gjithmonë duke ruajtur atë që gjithmonë e kemi në Kushtetutën e Kosovës dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Unë besojë që për Qeverinë e Kosovës dhe vetë kryeministrin si dhe rajonin është lajm i mirë kur fillojnë gjërat të zgjidhen përmes dialogut. Ne i kryejmë detyrat mbi bazat tona juridike dhe kushtetuese. Unë mendojë se ne duhet të jemi racional në veprimet tona”, ka thënë Kuçi duke shtuar se nga ky dialog nuk do të ketë rrezik për Kosovën pasi institucionet e Kosovës kanë mbështetjen e plotë nga BE-ja dhe SHBA-të.
Ndërkaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se LDK është për vazhdimin e dialogut me Serbisë por jo për tema që prekin integritetin, sovranitetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë që të zhvillohen biseda po jo biseda që prekin integritetin, sovranitetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës sepse ato konsiderojmë se janë të përfunduara në pakon e Ahtisarit. Ne shohim arsye që të zhvillohet dialogu lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe jemi që trupat serbe që veprojnë në veri të vendit të tërhiqen në mënyrë që ne të zgjidhim problemet me Serbinë”, ka thënë Mustafa.
Nga ana tjetër, publicisti Veton Surroi mendon se Qeveria e Kosovës sikurse më herët, edhe tani, po hynë në bisedime me Serbinë pa agjendë dhe pa platformë të duhur.
“Çështja themelore është se mbi bazë të çfarë platforme ka shkuar kryeministri në Bruksel?! Në bazë çfarë platforme është duke u zhvilluar procesi negociatë dhe pse nuk është përgatitur një konsensus politik, i cili siç e dimë duhet të tejkalonte një jo, sepse përgjatë dy viteve të kaluara apo edhe më shumë qytetarëve të Kosovës ju është shpjeguar se nuk do të ketë, negociata politike, por në fakt këto negociata politike edhe janë zhvilluar dhe po zhvillohen që tash”, ka thënë Surroi.
I pyetur, për pasojat që mund të vijnë nga dialogu për Kosovën, Surroi ka thënë se ato mund të shihen më vonë.
Përndryshe, me ndërmjetësim të përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton kryeministri, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq u takuan të premten në Bruksel, ku u pajtuan për vazhdimin e bisedimeve, në përpjekje, siç u tha, të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /kosovapress/